Site icon Telegrafi

Flet dëshmitari i parë i rastit tragjik që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës

Nata e së shtunës ishte tragjike për fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar humbën jetën 3 fëmijë të këtij fshati.

Në një intervistë dhënë për Radio Dukagjinin, një nga dëshmitarët tha që nga ora 22:00 – 22:30, ka marrë një telefonatë nga një i afërm i tij se objeti që dikur shërbente si dyqan, është rrënuar dhe i ka zënë fëmijët nën rrënoja.

“Të shtunën ka ora 22:00 – 22:30 më ka thirrur djali i axhës, dhe më tha që shitorja që ka qenë këtu përpara është rrëzuar dhe i ka zënë fëmijët. Unë kam shkuar dhe e kam marrë traktorin dhe kemi ardhur këtu bashkë me prindërit e djemëve dhe kemi filluar që nga një anë e objektit ta ngrejmë plloqën, dhe i pari të cilin e kemi nxjerrë nga aty ka qenë Rama, i cili e ka emrin e përtirë të gjyshit dëshmor, ndërsa të dytin nga pjesa e tjetër, Idealin, ndërsa të tretin, Vetonin.” , tha fillimisht dëshmitari.

Ai po ashtu shtoi që pavrësisht që ky objekt ka qenë shumë dëmtuar, disa herë fëmijët e fshatit kanë luajtur afër tij.

“Këtu janë endur fëmija pas shkollës, sepse kjo rrugë të qon kah shkolla dhe i kemi parë disa herë kur kemi punuar, por pavarësisht që në këtë objekt ekzistonin mbrojtëset, ata kanë hyrë brenda dhe sigurisht kanë luajtur, sepse ky objekt ka qenë i dëmtuar shumë dhe në një moment ka rënë plloqa e objektit dhe i ka zënë.”, tha ndër të tjera ai, raporton Radio Dukagjini.

 

Exit mobile version