Site icon Telegrafi

Flet Barbana Dini: Dy mundësitë që kisha pas vdekjes së Ergit! (Foto)

Kanë kaluar disa muaj që kur Ergi Dini u nda nga jeta duke lënë në mes rrugën e tij të saponisur në muzikë, një numër të madh projektesh dhe një karrierë të gjatë e cila ishte vetëm në fillim.

Dhimbja e madhe e familjes, por edhe e të gjithë atyre që u dashuruan me zërin e tij mbetet ende e freskët, megjithatë e motra, Barbana Dini, ka vendosur që të mos e lërë veten të mbytet nga dhimbja. Me këngën ajo ka nisur qysh në moshën 7-vjeçare dhe disa vite më vonë i erdhi e iu bë koleg edhe Ergi, i cili, me zërin e jashtëzakonshëm dhe talentin e rrallë, kishte mjaft projekte edhe me motrën.

E ftuar këtë pasdite në “Rudina”, Barbana rrëfeu si kanë qenë këto muaj për të dhe për familjen e saj pas humbjes së Ergit, por gjithashtu edhe si zgjodhi ta vazhdojë këngën dhe rrugën e tij të mbetur në mes. Për t’u rikthyer, tha ajo, ishte një vendim i vështirë, por duhet ta bënte: “Ishte vendimi më i vështirë për mua, por fatkeqësisht, është e nevojshme që njeriu të ecë përpara. Dhimbjen duhet ta bëjë pjesë të tij, por jo duke u bërë pre e saj.”

Maratona e Këngës që u zhvillua gjatë verës e risolli Barbanën në skenë me një këngë të krijuar enkas për dhimbjen e saj. “Me mua” ishte një dedikim për Ergin dhe gjatë sezonit të verës u këndua në çdo shesh nga të gjithë: “Kënga ka qenë dedikuar atij. Arti është një mënyrë të shprehuri, pavarësisht se sot ka marrë tjetër formë. Unë kam qenë dhe do jem derisa të mbyll sytë fansja e zjarrtë e asaj që bëri Ergi, e asaj që mori, por edhe asaj që do bënte. Ai arriti të merrte shumë, pavarësisht limitit të kohës”, – shton Barbana. E emocionuar, por me forca brenda vetes, Barbana thotë se tashmë ajo ka një qëllim tjetër. Jeta pas humbjes së Ergit ka ndryshuar shumë, ka ndryshuar edhe perceptimi i saj për Barbanën dhe familjen e saj: “Pas kësaj ngjarjeve, jeta ka ndryshuar shumë në kontekstin e konceptit të gjërave. Unë nuk e kam më atë koncept që kam pasur për jetën. Jeta, për mua, është e bukur kur i ke të gjithë njerëzit. Në momentin që kjo prishet, ajo kthehet në detyrim për t’u qendruar pranë njerëzve të tjerë të familjes…. “

Por e ndien veten me fat që ka gjetur këtë mënyrë ngushëllimi: “Të ngushëllosh është art më vete, nuk ka aftësi shumëkush ta bëjë.”

Duke rrëfyer më tej për afrimitetin që kishin motër e vëlla, Barbana ka sjellë ekskluzivisht në Rudina edhe një video që Ergi ia kishte nisur vetëm pak ditë para se të ndahej nga jeta: “Janë kujtime… Për mua është e vështirë të flas për këtë, sepse tani dua që zëri im të thotë diçka… “ – thotë Barbana e emocionuar. Pak para ndarjes nga jeta të Ergit, ata të dy kishin nisur një këngë së bashku. Fatmirësisht, zëri i Ergit është regjistruar, kështu që ka mbetur edhe shumë pak punë dhe gjithçka është gati: “Është me zërin e Ergit, është një këngë shumë e bukur. Nuk e di kur mund të jetë gati, por shumë shpejt, besoj nga tetori do dalë.” /Revista Class/

Exit mobile version