Site icon Telegrafi

Flet avokati i cili u sulmua nga klienti i tij në Gjykatën e Pejës

Një avokat është sulmuar sot në Gjykatën e Pejës nga klienti i tij.

Me gjasë i pakënaqur me vendimin e Gjykatës, e cila e shpalli fajtor dhe e dënoi, i akuzuari M.N. e ka sulmuar fizikisht mbrojtësin e tij, avokatin Flamur Kelmendin.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Pejës, M.N. pasi ka dëgjuar lartësinë e dënimit nga ulësja e tij ka reaguar dhe e ka goditur dy herë me grusht mbrojtësin e tij.

Avokati Kelmendi në një prononcim për Kallxo.com tha se sulmi nga klienti i tij e kishte zënë në befasi.

“Për mua ka qenë befasi sulmi, të të sulmoj klienti. Unë kam qenë avokat i angazhuar sipas detyrës zyrtare, jo me pagesë. E kam dhënë një fjalë përfundimtare shumë profesionale për favorin e tij e tash çka i ka ndodh atij, si duket shqetësimi që është dënuar për një vepër shumë të rëndë”, tha avokati Kelmendi.

Ai veprimin e klientit të tij e konsideroi “tinëzar”.

“Unë kam qenë më së afërmi tij. Ka reaguar edhe më kapi, mu vërsul mua, kaq ka qenë. Për mua ka qenë e papritur edhe veprimi ka qenë tinëzisht, mbas shpine. Ai i ka ikur edhe policit, gardianit mirëpo Policia ka vepruar menjëherë edhe e ka penguar”, shtoi më tej Kelmendi,

Në lidhje me sulmin ndaj avokatit Flamur Kelmendi ka reaguar edhe Oda e Avokatëve të Kosovës, e cila përmes një komunikate ka shprehur shqetësim të thellë për sulmin ndaj avokatit Kelmendi.

Sipas Odës së Avokatëve, sulmet ndaj avokatëve janë bërë të shpeshta prandaj përmes kësaj komunikate u është bërë thirrje institucioneve shtetërore që të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore me qëllim të hetimit të plotë të këtij rasti si dhe Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës i është vënë në vëmendje se e kanë për obligim ligjor të mbrojnë dhe sigurojnë avokatet gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.

Exit mobile version