Telegrafi

Flet avokati i 16 vjeçarit nga Peja: Nuk ka prova se klienti im po planifikonte vepra terroriste

Gëzim Kollçaku, avokati i të dyshuarit të mitur B.M, i cili u dërgua në paraburgim për 30 ditë, nën dyshimin se i njëjti ishte duke bërë plane për vrasjen e nxënësve në klasën e tij, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në një prononcim për Telegrafin, avokati deklaroi se nuk ka asnjë provë që klienti i tij ka bërë përgatitje për kryerjen e krimeve.

“Jam i pakënaqur me vendimin, nuk ka prova. Nesër do të parashtrojmë ankesë, nuk ka pasur asnjë konflikt, është vetëm 16-vjecar”, tha ai për Telegrafin.

Gjykata Themelore në Prishtinë, sot, ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, për të miturin i cili u arrestua në Pejë.

Lexo po ashtu Dyshohet se planifikoi vrasjen e shokëve të klasës – 30 ditë paraburgim për të miturin nga Peja

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“I është caktuar mara e paraburgimit prej 30 ditësh. I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste””, ka thënë Gashi.

Prokuroria Speciale, ka njoftuar se i dyshuari B.M për disa muaj kishte bërë plane për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj nxënësve të një shkolle në Pejë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se është ndaluar i pandehuri me inicialet B.M. për shkak se në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Lexo po ashtu Prokuroria jep detaje për planin disa mujor që 16 vjeçari kishte përgatitur ta kryente në një shkollë në Pejë

Arrestimi i të miturit është bërë ditën e shtunë, në njoftimin e Policisë thuhej se i njëjti paraqet kërcënim për sigurinë. /Telegrafi/