Telegrafi

Fleckenstein: Deklarata e shqiptarëve nuk sjell asnjë rrezik për Maqedoninë (Video)

Eurodeputeti Knut Fleckenstein në një intervisët për Nova TV, ka folur rreth takimit të tij të fundit në Shkup dhe situatën aktuale politike në vend. Ai tha se nuk është e lehtë të përshkruhet takimi i tij i fundit në Shkup me një fjalë, por potencoi se demokracia nuk funksionon për momentin, njofton Telegrafi Maqedoni.

Për deklaratën e Mogherinit, e cila tha “mos luani me zjarr”, ai tha se duhet të merret seriozisht dhe se vetëm ajo e di se për çfarë zjarri bëhet fjalë. Ai gjithashtu tha se nuk është vetëm detyrë e evropianëve të luftojnë për demokracinë, por duhet të angazhohen të gjithë.

Ndërsa sa i përket Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, ai tha se e ka lexuar atë dhe nuk ka gjetur asgjë që është e rrezikshme për shtetin. Ai tha se shumica e qytetarëve nuk e kanë lexuar Deklaratën e shqiptarëve, por vetëm kanë dëgjuar për atë, prandaj sipas tij, ajo duket e dyshimtë për disa qytetarë./Telegrafi/