Telegrafi

“Flea Market”, për herë të tretë në Prishtinë [video]

I njohur në botë si “Flea Market”, tregu i gjësendeve të vjetra është një lloj pazari që ua jep me qira hapësirën njerëzve që duan të shesin apo të shkëmbejnë mallra.

Në ambientet e Klubit “M” në Prishtinë, në fundjavë, është mbajtur për herë të tretë radhazi “Flea Market Prishtina”, që përfshin shitjen e gjësendeve të ndryshme të rrobave të dorës së dytë për meshkuj dhe femra të moshave të ndryshme dhe po u ofron mundësi personave pasionantë të modës dhe me influencë në këtë fushë që të ndajnë stilin e tyre me të tjerët, duke i shitur gjësendet e tyre.

Në këtë treg u gjenden rroba të markave të ndryshme me çmime tejet të volitshme. Ndërsa shitësit këtë herë kishin ardhur edhe nga qytete të tjera të Kosovës.

“Flea Market” është mbajtur për herë të parë në Prishtinë në kafe-librarinë “Dit’ e Nat”. Vitin e kaluar ky treg u hap gjatë festave të fundvitit, në Sheshin “Skënderbe”.

“Flea Market Prishtina” është organizuar nga Rita Saraçi, Anyla Dautaj, Rina Hapçiu dhe Adrian Berisha.