Telegrafi

Flasin trajneri i Sigal Prishtinës dhe Bashkimit

Prishtina ka shijuar fitoren e tretë në këtë sezon në Ligën Ballkanike.

 Në fakt, prishtinasit kanë bërë një përmbysje të madhe për të triumfuar kundër Bashkimit me rezultat 87:81.

Trajneri i Sigal Prishtinës, Andin Rashica, që ka shënuar fitoren e parë me ekipin bardhekaltër në vitin 2017 mbrëmë ndaj Bashkimit, ka thënë se mbrojtja e fortë i siguroi fitoren ekipit të tij.

Lexo po ashtu Prishtina mposht Bashkimin, fije shprese për kualifikim në Ligën Ballkanike

“Bashkimi kishte përqindje të lartë për trepikësha në pjesë të parë të ndeshjes dhe kjo u mundësoi atyre të marrin epësinë. Por, në pjesë të dytë me mbrojtje të fortë ne e fituam ndeshjen. Kemi edhe një ndeshje për të zhvilluar në BIBL dhe të shohim se ç‘do të ndodh,” ka thënë Rashica në prononcimin e tij pas ndeshjes, shkruan faqja e BIBL sot.

Rashica është duke e kryer detyrën e trajnerit të përkohshëm te Prishtina, pasi që ekipi prej se u largua Jeronimo Sarin, ende nuk ka emëruar kryetrajnerin e ri të skuadrës. Rashica ka drejtuar Sigal Prishtinën në fitoren e parë të këtij viti.

Ndërkohë, Trajneri i Bashkimit ka thënë se me gjashtë lojtarë në dispozicion për rotacion, kjo ka qenë e tëra që mund të arrihet ndaj një ekipi si Sigal Prishtina.

Bashkimi përkundër paraqitjes tepër të mirë në pjesë të parë të ndeshjes, u mposht në pjesën e dytë për të regjistruar humbjen e pestë në Grupin A të BIBL dhe të parën pas katër fitoreve radhazi.

“Ka qenë me të vërtetë vështirë për ne, pasi që kishim vetëm 6 lojtarë në dispozicion për rotacion. Me kaq lojtarë është shumë vështirë t’i bësh ballë Prishtinës, që bënë punë shumë të mirë në pjesë të dytë. Edhe pas kësaj humbjeje, ne kemi gjasa për kualifikim në fazën e dytë të BIBL dhe kjo është shumë me rëndësi për ne, ”ka thënë trajneri Dragan Radovic, shkruan faqja zyrtare e BIBL.

Bashkimit i duhet fitore ndaj Teodos në përballjen e fundit të fazës së parë të BIBL për të mbetur në garë në BIBL.