Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e gatshme që të formojë Qeverinë e re. Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu deklaroi të mërkurën se nëse i jepet mandati kësaj partie prioritet do të jetë qeveria gjithëpërfshirëse, por që nuk e përjashtojnë as mundësinë që qeverinë të formojnë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet.
Lidhur me këtë deklaratë të Veliut për një koalicion të mundshëm LDK-AAK-NISMA, është deklaruar nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj.
Ai për Telegrafin ka thënë se është e rëndësishme të respektohet Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës sa i përket formimit të Qeverisë.
“Për AAK-në në radhë të parë është e rëndësishme të respektohet kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket formimit të qeverisë, sepse çdo devijim nga akti juridik më i lartë i shtetit do ta dërgonte Kosovën drejtë një krize më të madhe politike dhe institucionale”, ka thënë ai.
Më tej, ai potencoi se AAK është e gatshëm të zhbllokojë situatën e krijuar politike, kurse për koalicione ende nuk kanë vendosur.
“Sa i përket deklarimeve të anëtarëve të kryesisë së LDK-së për një koalicion të mundshëm LDK-AAK-NISMA ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që të zhbllokojmë këtë situatë, por vendimet për koalicione duhet të diskutohen në organet e partisë. Kjo ende nuk ka ndodhur, si rrjedhojë AAK nuk ka një qëndrim zyrtar”, pohoi ai.
Ndryshe, Qeveria Kurti është rrëzuar më 25 mars, pas mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK, e që u përkrahë edhe nga partitë opozitare.
Për rrëzimin e qeverisë kishin votuar 82 deputetë, nga 117 sa ishin në prezent në sallë, ndërsa kundër kishin votuar 36 deputetë dhe një prej tyre kishte abstenuar.
Pas rrëzimit të Qeverisë, presidenti Thaçi kishte nisur konsultimet me liderët e partive politike për hapat që duhet ndërmarrë pas mocionit të mosbesimit. Ai pas takimeve, i ka dërguar letër Lëvizjes Vetëvendosje ku ka kërkuar emrin e mandatarit të ri për formimin e Qeverisë, mirëpo deri më tani LVV nuk i ka kthyer asnjë përgjigje presidentit./Telegrafi/