Elita e futbollit kosovar çdo javë po bëhet edhe më interesante.
Java e 27-të ka qenë njëra nga javët ku është shkaktuar befasia më e madhe e këtij edicioni, pasi Ferizaj arriti të triumfonte në udhëtim te Feronikeli.
Por për të përfunduar kjo xhiro duhet të zhvillohen edhe dy sfidat e mbetura.
Interesant pritet të jetë sot në kryeqytet, ku në stadiumin Fadil Vokrri, Flamurtari do të jetë nikoqir i Lirisë.
Vendasit janë në kërkim të pikëve të plota pasi në tetë ndeshjet e fundit kanë marrë katër barazime dhe katër disfata, duke harruar të fitojnë.
Më mirë nuk qëndrojnë as mysafirët nga Prizreni që kanë pësuar katër humbje radhazi dhe në rast se nuk arrijnë të marrin pikë sot, atëherë për ta do të ishte shumë e vështirë të mbijetojnë në Ipko Superligë.
Interesant pritet të jetë edhe në Gjilan, ku përballë njëra tjetrës janë dy skuadra pak më të qeta.
Drita e ka blinduar pozitën e katërt në tabelë dhe nuk rrezikon të mbetet në barazh, ndërsa edhe Drenica që është e pesta synon të marrë sa më shumë pikë për ta siguruar mbijetesën.
Kampioni në fuqi i Kosovës është favorit në këtë takim, por duhet pasur kujdes nga kuqezinjtë që din të befasojnë.
Të dyja takimet e sotme në Ipko Superligën e Kosovës në futboll fillojnë nga ora 15:30. /Telegrafi/