Telegrafi

Flamurtari tregon forcën, mposhtë liderin në kryeqytet

Flamurtari ka arritur një fitore të madhe përballë liderit aktual të Superligës, Ballkanit me rezultat 2-1.

Flamurtari ishte në kërkim të pikëve pasi kësisoj do të mbetej në garë fuqishëm për t’i ikur rënies.

Duke parë rëndësinë e pikëve, Kuqezinjtë filluan fuqishëm takimin duke sulmuar liderin Ballkanin.

Bashkim Shala dhe Torivol Stullaqaku rrezikuan fillimisht, por pa sukses.

E goli i parë erdhi në minutën e 20-të, kur realizoi Bashkim Shala pas një tollovie në zonë për 1-0.

Balkllkan i shënoi me Mirlind Dakun në minutën e 40-të, por që ky gol u anulua për pozitë jashtë loje.

E me epërsinë 1-0 të vendasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj ndeshje.

Vendasit pjesën e dytë e nisën edhe më fuqishëm, ku pas tre minutave realizoi Veton Kabashi me kokë për 2-0.

Ballkani u vërsul në sulm për të shënuar, por një gjëje të tillë nuk ia arritën deri në minutën e 88-të kur shënoi Mirlind Daku për 2-1.

Mysafirët tentuan deri në fund të bënin diçka më shumë, por që nuk arritën të shënonin tjetër gol dhe kësisoj Flamurtari mori një fitore të madhe ndaj liderit aktual të Ipko Superligës.

Kjo fitore e ngrit Flamurtarin në pozitën e tetë në tabelë me 28 pikë, teksa Ballkani mbetet lider me 44 pikë, një më shumë se përcjellësi i parë Drita. /Telegrafi/