Site icon Telegrafi

Flamurtari shokon kampionin në Gjilan

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita ka pësuar humbje befasuese në shtëpi nga Flamurtari 1-3.

Ndeshja u zhvillua pa praninë e tifozëve, pasi Drita ishte dënuar nga FFK me dy ndeshje pa spektatorë.

Të parët që rrezikuan ishin mysafirët nga Prishtina, të cilët tentuan me Egzon Krasniqin, por që goditja e tij u ndal nga Bakaj.

Në minutën e shtatë Drita pati rast të mirë shënimi, por Betim Haxhimusa nuk u gjend mirë në zonë pas harkimit nga Xhevdet Shabani.

Veton Shabani i Flamurtarit përfitoi një top nga mbrojtja vendase, por që goditja e tij nuk ishte e saktë.

Golin e epërsisë Drita e arriti në minutën e 23-të, kur pas harkimit të Xhevdet Shabanit në zonë, mbrojtësi Ervsi Kaja shënoi për 1-0.

Me epërsinë minimale të Dritës përfunduan 45 minutat e para të kësaj ndeshje.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Flamurtarin të cilët barazuan rezultatin në 1-1, kur shënoi Veton Kabashi pas asistimit nga Gentrit Dumani.

Në minutën e 72-të, portieri i Dritës, Edvan Bakaj bëri një gabim por që nuk e shfrytëzoi si duhet Shillova.

E në minutën e 78-të, vendasit përsëri bënë gabim, ku kësaj radhe Kuka gaboi ndërsa Shillova përfitoi për të shënuar për 1-2.

Pas golit të dytë të shënuar nga kryeqytetasit Drita u hodh e gjitha në sulm.

Betim Haxhimusa, Liridon Leci e Ricardo Verza provuan por pa sukses.

Krejt në fund të ndeshjes, kryeqytetasit arritën të shënonin edhe golin e tretë pas një supergoli të shënuar nga Alban Shillova nga largësia.

Kësisoj Flamurtari vazhdon të mbetet ‘mace e zezë’ për Dritën, pasi edhe edicionin e kaluar i kishte ndaluar në dy ndeshje gjilanasit.

Ndeshjen e radhës kampioni në fuqi i Kosovës e luan në udhëtim te Liria në Prizren.

Në anën tjetër Flamurtari në kryeqytet do të jetë nikoqir i KEK-ut. /Telegrafi/

Exit mobile version