Telegrafi

Flamurtari merr tri pikë të arta ndaj Ferizajt

Flamurtari e ka mposhtur Ferizajn me rezultat 3-2 në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës.

Vendasit e filluan mjaftë mirë ndeshjen, duke arritur të rrezikonin portën kundërshtare disa herë, mirëpo ishin të pafat, pasi goditjet e tyre nuk ishin të sakta.

Angazhimi i madh u shpërblye në fund të pjesës së parë, aty ku Flamurtari fitoi një penallti, të cilën në gol e konvertoi Shend Kelmendi (43’).

Në fillim të 45 minutëshit të dytë, Bashkim Shala e dyfishoi rezultatin për vendasit në minutën e 50-të.

Por, vendasit e ulën ritmin e lojës dhe për këtë u ndëshkuan nga lojtari i Ferizajt, Bujamin Asani (56’) që shënoi një gol të bukur.

Për ta kthyer sërish epërsinë e lartë, u përkujdes Kelmendi (57’), që ishte goli i tij i dytë në këtë ballafaqim.

Ferizaj edhe një herë arriti të ngushtonte epërsinë e Flamurtarit me anë të Filonit Shaqirit që shënoi me kokë në minutën e 85-të, e që ishte e vetmja që mund të bënin.

Me këtë fitore, Flamurtari gjendet në pozitën e shtatë me 36 pikë, ndërsa Ferizaj në të dhjetin me 26 sosh. /Telegrafi/