Trepça ’89 dhe Flamurtari kanë luajtur baras 2-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra kryeqytetase ka vazhduar serinë pozitive duke marrë edhe barazimin e tretë radhazi në kampionat, ndërsa edhe Minatorët po karakterizohen me barazime.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte shumë dinamike, ku përveç shumë rasteve të krijuara u shënuan edhe të katër golat.
Ishin mysafirët e Flamurtarit, të cilët kaluan ne epërsi të parët, pasi në minutën e 19-të ishte Alban Shillova, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Egzon Krasniqit.
Vendasit u rikthyen në lojë në minutën e 25-të me golin e Martin Mircevskit, i cili shënoi nga gjuajtja e lirë për 1-1, por vetëm një minutë më vonë Flamurtari shënoi me anë të Adem Maliqit për 1-2.
Në minutën e 39-të, vendasit përsëri arritën të barazojnë rezultatin me anë të Mircevskit dhe me barazim 2-2 skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e mbyllur dhe me pak raste dhe portat mbetën të paprekura duke bërë që ndeshja të përfundojë me rezultatin e pjesës së parë.
Pas këtij barazimi, Flamurtari renditet i katërti me 16 pikë, ndërsa 89-shi i shtati me 11 pikë. Në ndeshjen e radhës, kuqezinjtë luajnë në shtëpi me Drenicën, ndërsa mitrovicasit udhëtojnë te Liria. /Telegrafi/