Site icon Telegrafi

Flamurtari merr një fitore të madhe ndaj Dritës

Flamurtari ka fituar në shtëpi me rezultat 1-0 ndaj Dritës në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të mysafirëve dhe me raste më të shumta për gol.

Rastet më të mira ishin ai i Erjon Vucajt (2′) dhe Hamdi Namanit (42′), por të dy goditjet u ndalën nga shtylla, ndërsa Xhevdet Shabani (14′) humbi rast i vetëm me portierin Ardit Nika.

Në pjesën e dytë, Flamurtari u ngjall dhe u tregua krejtësisht tjetër skuadër, duke krijuar më shumë dhe duke gjetur edhe golin.

Egzon Krasniqi (61′, 75′) pati dy raste shënimi, ku i pari shkoi mbi portë dhe i dyti u prit nga gardiani mysafirë.

Ndërsa, sulmuesi Tërvioll Stullqaku (72′) gjuajti me kokë, por goditja e tij u heq nga vija e portës nga Liridon Leci, ndërsa në minutën e 74-të ishte përsëri afër golit duke goditur afër shtyllës.

Stullqaku doli përsëri në rast në minutën e 76-të, por kësaj radhe nuk gaboi duke lënë mbrapa dy mbrojtësit, Adrian Culculi dhe Fidan Gërbeshi për të shënuar për 1-0.

Deri në fund të ndeshjes, Drita u mundua ta gjej golin e barazimit, të cilin e gjeti në minutën e 82-të me anë të Bujar Shabanin, por goli u anulua për pozitë jashtë loje dhe Flamurtari mori një fitore madhe.

Pas kësaj fitore, Flamurtari e sheh veten në pozitën e nëntë me 12 pikë, ndërsa Drita zbret në vendin e tretë me 22 pikë.

Në ndeshjen e radhës, kuqezinjtë udhëtojnë te Ferizaj, ndërsa gjilanasit e presin Dukagjinin. /Telegrafi/

Exit mobile version