Site icon Telegrafi

Flamurtari i kthehet fitores pas shtatë ndeshjeve, mposht në udhëtim Ferizajn

Flamurtari ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Ferizaj, pasi i ka mposhtur me rezultat 3-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.

Rasti i i parë i ndeshjes ishte ai i sulmuesi vendas, Florim Berbatovci (8′), i cili gjendet në mundësi të mirë shënimi, por portieri Besnik Shehu pret goditjen e tij.

Megjithatë, në minutën e 28-të, Berbatovci përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Shehu dhe e dërgon topin në rrjetë për epërsinë 1-0 dhe me këtë rezultat skuadrat shkojnë në pushimin mes dy pjesëve.

Në pjesën e dytë u zhvillua ndeshje më atraktive dhe me më shumë raste, ku ishin mysafirët ata të cilët dominuan në këta 45 minuta.

Vendasit ishin të parët që rrezikuan me anë të Berbatovcit (48′) dhe Mentor Mazrekajt (50′), por në rastin e parë goditja u prit nga portieri, ndërsa te rasti i dytë topi shkoi pranë portës.

Pas dy rasteve të humbura nga vendasit, ishin mysafirët ata që i dënuan, pasi në minutën e 55-të, anësori Egzon Krasniqi shënon në mënyrë mjeshtërore për barazimin 1-1.

Krasniqi pati rast të mirë edhe në minutën e 61-të, por edhe pse shmangu bukur portierin Armend Blakçori, goditja e tij u largua nga vija nga Arbër Mone.

Në minutën e 69-të të ndeshjes ishte Iljasa Zylfiu, i cili realizoi një supergol nga ndërprerja për ta kaluar Flamurtarin në epërsi 1-2.

Deri në fund të ndeshjes, Flamurtari shënoi me Zylfiun (87′) për 3-1, ndërsa Ferizaj krejt në fund arriti ta ngushtojë epërsinë në 2-3 me anë të Mazrekajt, i cili vulosi rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Flamurtari ka 16 pikë në vendin e pestë, ndërsa Ferizaj renditet në pozitën e 10-të me 10 pikë. Në ndeshjen e radhës, kuqezinjtë e presin Dritën, ndërsa ‘Ujqit’ udhëtojnë te Liria e Prizrenit. /Telegrafi/

Exit mobile version