Site icon Telegrafi

Flamurtari konfirmon bisedimet me Cassanon

Antonio Casano ka qenë në planet e Flamurtarit që në merkaton e verës.

Një fakt të tillë e ka zbuluar për “Panorama Sport” vetë administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.

I kontaktuar nga gazeta për këtë çështje, Idrizi ka konfirmuar bisedimet me sulmuesin italian që në verë. “Antonio Casano ka qenë në bisedime me ne që në verë. Pra ka qenë në planet tona”, u shpreh Idrizi.

Ndërkaq, në rrjetet sociale dje ka qarkulluar një lajm se Antonio Casano ka qenë dje në Tiranë për t’u takuar me Idrizin. I pyetur për këtë, administratori i Flamurtarit u shpreh. “Unë jam në Tiranë sot, por jo për t’u takuar me Casanon”.

E ndërsa gjasat që Casano të vijë në Vlorë janë të pakta, numri një i klubit vlonjat thotë se ylli i Flamurtarit mund të jetë një tjetër.

“Klubi është në diskutime me dy-tre lojtarë, yje të kalibrit të lartë. Ne jemi në bisedime me emra të mëdhenj që nuk kanë ardhur ndonjëherë në Shqipëri dhe nuk ka kush t’i sjellë tjetër veç nesh”.

“Jemi në bisedime me një lojtar shumë të kuotuar në treg, por nuk mund të zbuloj emra. Janë lojtarë që është ëndërr që t’i kesh në skuadër dhe nuk e di nëse do të pranojnë të vijnë, ndaj nuk dua që të nxitohem. Jemi në bisedime”, tha Idrizi.

Exit mobile version