Flamurtari ka marrë një fitore të madhe 2-1 në udhëtim te Drenica në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Ipko Superligën e Kosovës.
Ekipi i trajnerit Synaj Keçi ka fituar në derbin kuqezi ndaj rivalit direkt për mbijetesë, Drenicës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por ishin vetëm mysafirët që arritën të shënojnë gol.
Ishte sulmuesi prishtinas, Shend Kelmendi, i cili shënoi një gol të bukur në minutën e 40-të dhe dërgoi ekipin e tij në pushim me epërsi 0-1.
Në pjesën e dytë, në fillim u zhvillua lojë e barabartë, por pas ndëshkimit të Edon Pasoma (62’) me kartonë të kuq, Flamurtari e mori lojën në dorë.
Vetëm dy minuta më vonë, kryeqytetasit arritën të shënojnë një gol të bukur me anë të Adem Maliqit, i cili nga distanca dyshoi epërsinë.
Pas këtij goli, Flamurtari pati edhe disa raste tjera për gol, por ishte vetëm Drenica që arriti ta gjej golin në minutat shtesë me anë të Alban Shillova, i cili shënoi nga penalltia për rezultatin përfundimtar 1-2.
Pas kësaj fitore, kryeqytetasit e shohin veten në pozitën e tetë me 32 pikë apo dy më pak se Drenica e shtata. /Telegrafi/