Site icon Telegrafi

E mposht edhe Flamurtari, Llapi mbetet pa pikë në edicionin pranveror

Flamurtari ka arritur të fitojë ndeshjen ndaj Llapit me një përmbysje të çmendur për dy minuta 2-1.

Ndeshja nisi mirë për vendasit të cilët të parët rrezikuan portën e kampionëve vjeshtor Llapit.

Ishte Veton Shabani që me një goditje të fortë për pak sa nuk shënoi për 1-0, por topi shkoi mbi portë.

Llapi gjeti golin e epërsisë në minutën e 15-të nëpërmjet mbrojtësit Dardan Jashari.

Ishte Leart Emini që harkoi në zonë ndërsa Jashari shënoi me kokë për 0-1.

Një minutë më vonë, Shehaj i vendasve tentoi sërish shënimin e golit por ndërhyri mirë Beqiri i Llapit.

Flamurtari arriti golin e barazimit në minutën e 40-të, kur pas një gabimi të Beqirit ishte sulmuesi Mendes që shënoi për 1-1.

Përmbysja e madhe e Flamurtarit ndodhi për dy minuta ku realizoi golin e dytë sulmuesi Alban Shillova nga afërsia.

Me epërsinë e vendasve u mbyllen 45 minutat e para të kësaj sfide.

Edhe në pjesën e dytë më të mirë në fushë ishin futbollistët vendas.

Shillova në minutën e 49-të dhe Ajzeraj disa minuta më vonë provuan por pa sukses.

Mendes i vendasve tentoi shënimin e golit të tretë në minutën e 75-të por priti goditjen e tij Beqiri.

Kësisoj pas kësaj fitore Flamurtari ngjitët në pozitën e 10-të në tabelë me 14 pikë të tubuara.

Ndërkohë Llapi mbetet ende pa pikë në pranverë dhe zë pozitën e tretë me 34 pikë.

Në ndeshjen e radhës skuadra e Flamurtarit do ta zhvilloj derbin kuq e zi ku luan në udhëtim te Vëllaznimi.

Ndërkohë Llapi i Tahir Batatinës do të tentoj të marrë pikët e para në pranverë ndaj Lirisë në Podujevë. /Telegrafi/

Exit mobile version