Rinor Sllova ishte i vetëm të hënën rreth orës 14:00 në një objekt në ndërtim e sipër në Prishtinë. Para vetes kishte një brushë dhe një kovë, ku brenda saj kishte ngjyrë të zezë.
Me dorën e majtë mbante brushën me të cilën ngjyroste krahët e shqiponjës dykrerëshe të vizatuar në pëlhurën 150 metra e gjatë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Kam eksperiencë në vizatimin e flamujve, pasi një flamur e kam bërë edhe për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me dimensionet 50 metra gjatësi e 28 gjerësi”, tregon Sllova.
29-vjeçari nga Dibra e Maqedonisë, por që jeton në Gjermani, ka dy javë që ka ardhur në Prishtinë. Tregon edhe arsyen pse pikërisht Prishtinën ka vendosur ta zgjedhë si vend ku do ta punojë flamurin gjigant me 150 metra gjatësi dhe 70 metra gjerësi apo 10.500 metra katrorë në tërësi.
Një flamur gjigant u shpalos edhe në ndeshjen ndaj Zvicrës. /Telegrafi/