Akhmat Arena është stadiumi i ekipit çeçen të Ahmat Groznit, ku luajnë Bernard Berisha, Odise Roshi dhe Bekim Balaj, e që bën gara në kampionatin elitar rus.
Ky klub e ka traditë që t’i vendosë në stadium flamujt e të gjitha vendeve nga vijnë lojtarët e tij.
Mes flamujve të ndryshëm qëndron edhe ai i Kosovës për nder të Bernard Berishës, sikurse edhe i Shqipërisë për nder të dyshes shqiptare Roshi e Balaj.
Ky fakt ka ngjallur reagimin e ambasadorit serb në Rusi. Ai e sheh të habitshme vendosjen e flamurit të Kosovës në stadiumin rus.
Sipas ambasadorit Terzic, kjo gjë është në kundërshtim me atë që Rusia vepron ndaj pavarësisë së Kosovës.
“Është shumë e habitshme paraqitja e flamurit të Kosovës në Ahmat-Arena. Ne presim që autoritetet lokale të reagojnë në përputhje me pozitën zyrtare të Federatës Ruse.”, thuhet në reagimin e ambasadorit serb, Slavenko Terzic.
E menjëhershme ka qenë përgjigja e klubit rus nëpërmjet zëdhënësit për shtyp, Ramazan Umarov.
Ai e sheh të zmadhuar dhe të pakuptimtë deklaratën e ambasadorit serb.
“Nuk e kuptoj pse e thotë këtë. Ky flamur nuk u paraqit në stadium dje apo sot. Ai ka qëndruar i varur për disa vite aty. Tek ne aktivizohet Bernard Berisha, i cili luan për ekipin e përfaqësueses të Kosovës”.
“Në stadium varen të gjithë flamujt e ekipeve përfaqësuese, që luajnë lojtarët tanë”.
Раздевалка ФК «Ахмат» перед матчем со «Спартаком» 🔥🔥🔥 pic.twitter.com/1KWJaYezKY
— FC Akhmat Grozny (@akhmatgrozny) March 30, 2019
“Përveç Kosovës, janë flamujt e Shqipërisë, Kroacisë apo Senegalit. Pse bëhet kaq zhurmë për hiçgjë? Nuk e kuptoj politikën”.
“Vetëm mund të them pse ai flamur është i varur dhe nuk e di nëse do të hiqet apo jo.”, u shpreh zëdhënësi i Akhmat Groznit.
Klubi çeçen mori vendim që t’i largojë të gjithë flamujt në ambientet e stadiumit. /Telegrafi/