Telegrafi

Flamuri i Kosovës në hapësirë, si u arrit kjo dhe si kontribuoi astronomia Pranvera Hyseni

Pranvera Hyseni është një ndër emrat e paktë nga Kosova që po i jep vulë arritjeve të saj shkencore në fushën e astronomisë në SHBA.

Në 2019-n, Pranvera, themeluese e organizatës “Astronomy Outreach Kosova”, kishte arritur të “gdhendë” logon e kësaj OJQ-je në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), shtëpia e shumë astronautëve në hapësirë nga vende të ndryshme të botës.

Kjo logo është e një rëndësie të veçantë pasi në vete bart flamurin e Kosovës. Flamuri tashmë zuri vend në shtëpinë e astronautëve të famshëm të botës.

Por si u arrit kjo?

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, studiuesja e shkencave planetare ka thënë se kjo u arrit përmes një miku të afërt të organizatës, i cili ka kontakte me astronautë të shumtë atje.

“Dizajni i simbolit (logos) së organizatës sonë jo-qeveritare, Astronomy Outreach of Kosovo, përmban simbolet dhe ngjyrat e flamurit të Kosovës. Në vitin 2019, simboli jonë është printuar në ambientet e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar nga astronauti, Alexey Ovchinin, të cilin më pas e ka nënshkruar dhe fotografuar 400 kilometra sipër në orbitën e Tokës, duke dërguar urime dhe përshëndetje stafit të organizatës sonë. E tëra kjo ka qenë befasi e planifikuar për stafin tonë nga miku ynë nga Zvicra, Rodrigo Araya, i cili ka kontakte të ngushta me astronautë të ndryshëm nga e mbarë bota”, tha Hyseni për Telegrafin.

“Sigurisht, për neve ky qenë një nga momentet më krenare, për ne”,  ka deklaruar mes tjerash ajo, duke shtuar se astronauti më pas e solli këtë logo në Kosovë për stafin e organizës “Astronomy Outreach of Kosovo”.

Kjo logo e printuar në hapësirë do të shpaloset në Qendrën Shkencore të Astronomisë në Shtime që do të hapet në qershor të vitit 2024. /Telegrafi/

Intervistën e plotë lexojeni këtu.