Site icon Telegrafi

Flakron Aliu flet për projektet e fundit, është prej aktorëve më të kërkuar: Publiku, shtysa e karrierës time

Aktori i njohur, Flakron Aliu, mbetet një prej aktorëve më të kërkuar.

Emri i tij është katapultuar në skenë fuqishëm që prej paraqitjes në klipin “Lujmi Lujmi” me Adrian Gaxhën.

Asnjë fjalë nuk e flet, por mbetet prej fytyrave më të dashura të publikut me paraqitjen e tij, stilin e veçantë dhe karizmën që zotëron.

Për Telegrafin ai thotë se gjithçka ndodhi shpejt.

“Ndodhi gjithçka shpejt. E mora ftesën për të marrë pjesë në atë videoklip dhe pjesa tjetër mbetet histori. Gjithsesi falënderoj publikun, ata janë shtysa e karrierës sime”, theksoi aktori i ri, i cili ka sigurisht rrugën e hapur.

E se e ka rrugën të hapur drejt sukseseve e tregojnë angazhimet e tij të shumta.

Së fundmi ai xhiroi një video reklamë me Orange Net, që erdhi me një koncept mjaft interesant, sa komik, aq edhe tërheqës.

“Orange Net ishte projekti i fundit me produksionin Artvision Films. Njëkohësisht konfirmoj se kam nënshkruar një kontratë njëvjeçare me këtë kompani ku do jem fytyrë e këtij brendi. Pra do të më shihni në fushata reklamuese më shpesh”, potencoi Flakron Aliu.

Aliu është nga Shkupi dhe tashmë ka një bazë të gjerë fansash, e numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale. /Telegrafi/

 

Exit mobile version