Telegrafi

Flakët përfshin spitalin e Fierit, digjet laboratori i imazherisë, nuk raportohen lëndime

Zjarri që përfshiu sot spitalin rajonal të Fierit dyshohet se ka nisur në laboratorin e imazherisë.

Sipas imazheristit Aristotel Kusta një shkëndijë elektrike në laboratorin e imazherisë ka qenë shkak i flakëve.

“Ajo që ka marrë flakë është makineria e larjes së filmave. Bëri masë dhe shkaktoi flakë. Aty ka filluar flaka dhe më pas ka marrë gjithë laboratori. Atje kishte dollapë, rafte të larjes së filmave, kanë dalë jashtë përdorimit të gjitha”, tha Kusta.

Në atë moment, në laboratorë nuk ka pasur njerëz, por flakët kanë shkaktuar dëme të shumta materiale.

Tymi dhe flakët kanë shkaktuar panik te pacientët që ndodheshin në ambientet e spitalit. Policët u kanë dhënë ndihmën e parë pacientëve, ndërkohë që zjarrfikësit shuan zjarrin. /tch/