(“Flaka e Janarit 2011”)
Për të njëzetën herë me radhë, qyteti i Gjilanit përmes institucioneve të saja, krijuesve si dhe veprimtarëve të kulturës, mbledh dhe i bën tok trojet shqiptare në nderim dhe përkushtim të thellë për martirët dhe dëshmorët e kombit, përmes prezantimit dhe përurimit të vlerave artistike dhe atë, në fushën e artit pamor, skenik, muzikor dhe letrar.
Ky Manifestim shumëdimensional i kulturës, filloi rrugëtimin pikërisht në një përvjetor të madh, në dhjetëvjetorin e rënies heroike të tre atdhetarëve të kombit, shkrimtarit e këngëtarit Jusuf Gërvalla, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës.
Atë kohë, jo dhe aq të largët, por në kushte të rënda okupimi e terrori, ishte Shoqata e Pavarur Kulturore e Gjilanit që e nxori dhe e zbatoi këtë projekt kulturor dhe tepër metaforik “Flaka e Janarit”, ndihmuar pa masë nga rinia gjilanase dhe ajo kosovare, e prirë prej Forumit të Rinisë të LDK-së si dhe një trekëndëshi hapësinor Bresalc – Gjilan – Përlepnicë, prej nga kjo Flakë, nëpër vitet e mëpasme përflaku jo vetëm Kosovën po kudo, trevat shqiptare dhe madje, edhe atje ku jetonin e vepronin shqiptarët, deri në Australinë e largët.
Ditët e 18 dhe 19 Janarit të vitit 1992, me kuptimin e plotë të fjalës, gradualisht po e identifikonin Gjilanin si epiqendër të një Manifestimi ndër më masivët anekënd shqiptarisë si dhe muajin Janar apo siç e kemi thirrur më parë, muajin Kallnor, në muaj të përshpirtshëm për një mal martirësh e dëshmorësh që u përpoqën nëpër kohë për t’i bërë bashkë shqiptarët deri tek një shtet i vetëm, i lirë e i pavarur për të cilin ideal apo projekt atdhetar ende vazhdojnë e s’kanë të rreshtur përpjekjet tona.
Ky Manifestim në muajin më të ftohtë të vitit, në janarin e dhembjes dhe krenarisë kombëtare, ishte i ndikuar nga ngjarjet, nga veprimet e bujshme që ju ndodhën prijësve tanë nëpër kohë, që nga Gjergj Kastrioti e deri të Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka si dhe atyre që ranë e u flijuan për lirinë tonë edhe pas tyre.
“Flaka e Janarit”, nëpër këto vite është përpjekur përmes një armate të tërë krijuesish llojesh të ndryshme arti, për t’ i mbajtur gjallë shëmbëlltyrat e tyre në kujtesën e kombit, qoftë përmes veprave përkushtuese të artit po, edhe përmes ndriçimit të figurave të tyre përmes tribunave të “Flakës…” e, në veçanti edhe përmes pjesës muzikore, këngës dhe si i tillë ky Manifestim, për brezat e rinj, për brezat që vinin dhe rriteshin me “Flakën…”, përveç se rikujtues, ishte edhe frymëzues e ndriçues në rrugën drejtë lirisë dhe pavarësisë, të cilën tashmë e gëzojmë sepse edhe e kemi merituar.
“Flaka e Janarit” si flakë që ka flakëruar pareshtur nëpër këto vite e që nuk është shuar asnjëherë, përmes idealit të të rënëve, atyre më herët po edhe të rënëve në vitet – 80-ta e 90 –ta, sidomos rezistencës së bujshme të Rexhep Malës e Nuhi Berishës më 12 Janar 1984, në një mënyrë ishte edhe flakadan i luftës çlirimtare të Kosovës, në vitet 1998 e1999, luftë kjo që u kurorëzua me dëbimin e armikut shekullor nga këto troje si dhe lirinë e këtij populli po, edhe hapjen e udhës drejt pavarësisë.
“Flaka e Janarit” ishte sfida më e madhe kulturore në Kosovën e okupuar, që me një madhështi të paparë u manifestua përmes Gjilanit nëpër midise tjera shqiptare. Natyrisht ishte edhe Muza krijuese apo thënë paksa në mënyrë figurative, edhe Olimpi kulturor i Kosovës, meqë nxiste, mblidhte dhe prezantonte vlerën më të arrirë brenda një viti dhe, përmes veprave artistike dha mundësinë të nderohen atdhetarët e kombit
Si një ndër Manifestimet më jetëgjatë të dekadave të fundit “Flaka e Janarit” në Kosovën e pasluftës, nuk e mori ende tretmanin e duhur. Përkundër kërkesave, ende nuk u ngrit përmes institucioneve qendrore, në manifestim shtetëror të Kosovës, kuptohet, duke ruajtur Selinë e saj, Gjilanin si dhe katër shtyllat kulturore, të cilat merituan dhe kërkojnë përsosje të vazhdueshme.
Një përkujdesje më e madhe shtetërore jo vetëm do rriste vlerën artistike edhe më tej të këtij Manifestimi por, edhe do ta nxirrte atë nga heterenogjiteti çfarë realisht e ka si dhe do ndikonte që brenda tërë vitit, brenda trevave shqiptare nga krijuesit dhe njerëzit që bëjnë e organizojnë kulturën, të garohet për të marrë pjesë në këtë manifestim, pikërisht shkaku i dedikimit të tij.
“Flaka e Janarit” ishte më shumë se një manifestim kulture. Ishte edhe “Flakë…” integruese e kulturës shqiptare dhe qendrave të saja, Prishtinës, Shkupit e Tiranës. Jo pak herë brenda këtyre viteve, këto tri qendra kryesore shqiptare ishin në një sofër, në Sofrën e Madhe të “Flakës…” përmes veprave të artit.
“Flaka e Janarit”, në një mënyrë a tjetër ka unifikuar përveç kulturës shqiptare, edhe pjesën politike të kombit. Si i tillë, ky Manifestim, ka nevojë për t’u përsosur edhe më tutje, për t’u rritur në vlerë, duke gëzuar një mbështetje më të madhe nga institucionet tona, po mbi të gjitha, duke u trajtuar si Manifestim kombëtar i kulturës, sepse edhe i tillë ka qenë në këto dy dekada.
Ndërsa, komuna e Gjilanit, si vendlindje dhe seli e këtij Manifestimi, meriton një nder të veçantë, për gatishmërinë, sakrificën, përkushtimin dhe gjithë atë që ka bërë gjatë këtyre njëzet viteve për “Flakën…” e me “Flakën…” për më të shenjtit e kombit.
Sepse, falë, krijuesve, njerëzve të kulturës, artdashësve, donatorëve dhe institucioneve të kësaj komune, (qoftë atëherë kur vepruan në kushte okupimi, qoftë sot, kur marrim frymë shlirë dhe veprojmë në rrethana krejt tjera), “Flaka e Janarit” sfidoi të gjitha situatat dhe, po mbahet për të njëzetën herë.
Jubile i “Flakës…” që do shpalohet në Gjilan nga Sheshi “Agim Ramadani”, do jetë jubile për gjithë shqiptarët, të cilët në një apo tjetër mënyrë kanë jetuar dhe bashkëecur me këtë Manifestim. Natyrisht, të ndihmuar dhe nga institucione qendrore, jo vetëm përmbajtja e këtij Manifestimi por, edhe dekori do jetë më solemn.
Dhe, kemi arsye; me “Flakën e Janarit” dhe idealin e gjithë atyre atdhetarëve që u flijuan për gjënë më të shtrenjtë të kombit, lirinë, jemi këtu. E, po më “Flakën…” do vazhdojmë dhe tutje.