Telegrafi

Flaka Loxha lufton për medalje të bronztë në Grand Prix të xhudos në Zagreb

Xhudistja kosovare, Flaka Loxha, është mposhtur në gjysmëfinale të kategorisë deri në -57 kg në Grand Prix të xhudos që po mbahet në qytetin e Zagrebit.

Përkundër luftës së fortë që zhvilloi, Loxha fatkeqësisht u mposht nga kroatja Ana Viktorja Puljiz në kohën shtesë, pasi mori tri gabime.

Në duelin për medaljen e bronztë, xhudistja jonë do të ketë punë me një tjetër kroate, kësaj radhe me Tihea Topolovec.

Paraprakisht Loxha kishte fituar ndaj xhudistes japoneze Hiyori Koga me Ippon, ndërsa më pas e kishte mposhtur edhe izraeliten Maya Leopold në çerekfinale në vazhdime me tri dënime për Ippon.

Ishte pikërisht gjysmëfinalja pra hapi i fundit për Loxhën, por jo edhe mundësia për të fituar një tjetër medalje për Kosovën, pasi ajo do të ndeshet tani për medaljen e bronztë.

Sot (e premte) u ndesh edhe Erza Muminoviq (-52 kg) e cila nuk arriti të kaloj ndeshjen e parë, pasi ajo humbi me Ippon nga garuesja e Azerbejxhanit Aydan Valiyeva dhe nuk vazhdoi tutje./Telegrafi/