Xhudistja nga Kosova, Flaka Loxha ka fituar medaljen e argjendtë në kategorinë e juniorëve në Kampionatin Evropianë që po mbahet në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë.
Sukseset në sportin e xhudos nuk kanë të ndalur për garuesit nga Kosova dhe vet shtetin e Kosovës.
Garuesja nga Kosova, Flaka Loxha, arriti t’i fitojë tri ndeshje dhe të kualifikohet në finale.
Flaka Loxha fillimisht mposhti garuesen nga Shqipëria, Amanda Lika, për të vazhduar më pas me Dora Bortas.
Në gjysmëfinale, Loxha fitoi pa ndeshje pasi garuesja serbe, Marica Persic nuk i doli përballë për shkaqe politike.
Megjithatë, xhudistja kosovare nuk arriti të rrëmbej medaljen e artë pasi u mposht në finale nga turkja, Buket Mercan në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Kjo është medalja e dytë e argjendtë për Kosovën, pasi më herët këtë medalje e fitoi edhe xhudistja Erza Muminoviq.
Nesër garon xhudistja Laura Fazliu deri në 63 kilogramë dhe Shpat Zekaj deri në 100 kilogramë. /Telegrafi/