Ekspozita e parë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve vjen e rrëfyer nga Flaka Haliti. Autorja nëpërmjet një udhëtimi verbal tregon sekretet e krijimeve të saj. E lumtur që më në fund po flet shqip, ajo rrëfen vlera dhe mesazhe të ekspozitës që mirëpret vizitorët deri në 9 nëntor
Anila Dedaj
Sapo hyjmë në ekspozitë ndeshemi me një perde trengjyrëshe, çfarë personifikon?
Është një punim që vjen nga një seri krijimesh të realizuara në vitin 2014. “Rri varur kot”, pra qëndron në suspancë, në pritje të diçkaje që ende nuk është aktive. Në arkitektura të ndryshme të muzeve ose institucioneve zakonisht diçka e tillë është e vendosur në hapësira duke paraqitur një formë spektakli të panevojshëm arkitektonik. Pra, diçka që shtohet për të bërë më “madhështore” arkitekturën, por që në fakt nuk ka lidhje me konceptin e ekspozitës. Në këtë rast ka një tjetër funksion, paraqet mundësitë që mund të gjenden nga bllokadat, të cilat njëkohësisht provokojnë një lloj negocimi midis dy trupave, apo objektit dhe subjektit në raport me hapësirën ku vendosen apo që, njëkohësisht krijojnë habitatin e tyre. Janë “të heshtura”, por në të njëjtën kohë kanë të drejtën e tyre të përfaqësimit.
Banderolat na udhëheqin vizitën në ekspozitë. Është e rastësishme mënyra se si janë vendosur dhe çfarë përfaqësojnë?
Kemi rënë dakord me Leonie Radine, kuratoren e ekspozitës që t’i përshtatnim banderolat në bazë të hapësirës për të mos cenuar komunikimin që krijimet kanë mes njëra-tjetrës. Ato shfaqen si fantazma, për të bërë një lloj udhërrëfimi për atë që do të vijë. Njëkohësisht krijojnë edhe efektin e surprizës, pasi kur nuk e pret në një kënd shfaqet një tjetër flamur.
Katër pjesë, si mure që, në rast se nuk e di, vështirë se mund ta imagjinosh se nuk janë prej betoni. Në çfarë konsiston një konceptim i tillë artistik?
Për mua është shumë interesante të shikoj se çfarë mundet të prodhojnë këto “objekte imitim” ose një estetikë false. Pra koncepti artistik konsiston në atë që mund të prodhojë artificialja në art dhe estetikë. Dhe jo vetëm kaq, vend të rëndësishëm merr edhe mesazhi që mund të përcillet nëpërmjet saj. A ka të njëjtën fuqi si dhe origjinalja? Këto pjesë paraqiten estetikisht sikur të jenë bërë prej betoni dhe të krijojnë përshtypjen se janë të rënda, brutale. Mandej vjen një moment kur bëhesh i vetëdijshëm për faktin se nuk janë prej betoni, atëherë çfarë ndryshon në këtë pikë? Cila bëhet dobësia e atij objekti dhe estetike? Lind pyetja, nëse mund të prodhohet punë origjinale prej kopjes?! Ashtu siç thotë edhe Benjamin Walter: “Mund të vendosni kopjen e një origjinali në situata që as vetë origjinali nuk do të mund t’i arrijë”.
Forma të larmishme fytyrash dhe mimikash “mbi re”. Çfarë keni dashur të rrëfeni përmes tyre?
Kam krijuar një lloj përshtatje mes formës së reve dhe karakterit të fytyrës. Secila nga ato ka karakteristika të ndryshme. Njëra duket si balonë, tjetra është tinëzare, një tjetër duket si “fytyrë majmuni”. Pra, e gjitha varet nga këndvështrimi. “Unë shikoj një fytyrë. Po ti a shikon një fytyrë”, mundohet të përçojë mundësinë ose pamundësinë e dy perspektivave. Pra, shtrohet pyetja nëse tjetri është duke parë atë që ti je duke parë, por nuk është se realisht ka rëndësi mendimi i tjetrit. Në fakt ka të bëjë me urgjencën e dikujt që mundohet ta shtyjë tjetrin të shikojë prej së njëjtës perspektivë. Një urgjencë gati e pamundur që ka ngjallur tek unë interesin për ta materializuar në këtë seri.
Një robot i ulur dhe krahët e “engjëjve” që gati qëndrojnë pezull…
Roboti është ndërtuar me mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe ngjan si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. Roboti dhe krahët janë pasiv, nuk dihet nëse janë bashkë ose të ndara, nëse i takojnë njëri-tjetrit. Kur muri rrotullohet, nëse rrotullohet, ato përsëri nuk mund të takohen. Supozohen rrotullimet ose vajtje-ardhjet edhe pse teknikisht nuk ndodhin, mirëpo nëse kjo ndodh në narracion, përsëri rezultati do të jetë i njëjtë. Pamundësia për t’u takuar dhe tensioni mes robotëve dhe krahëve.
Arti dhe pushteti, cila është loja që vë në fokus këtë lidhje komplekse?
“A je ti Joe?” luan me pushtetin në mënyrë të hapur, mirëpo në vija të përgjithshme. Këtu luhet me fuqinë e pushtetit, pra kush është duke e vendosur se çfarë është vlera. Kush vendos se çfarë duhet të shkojë dhe çfarë duhet të qëndrojë. Kush e krijon gjeniun dhe historinë e artit? Kush ka të drejtë ta përfaqësojë këtë të fundit. Çdo artist që është aktiv brenda sistemit, brenda institucioneve dhe në tregun e arteve ballafaqohet me këto pyetje.
Duke pasur parasysh edhe lojën e pushteti dhe rastin tuaj konkret. Ka qenë e vështirë t’ia dilnit mbanë?
Është gjithmonë e vështirë. Nëse ne përballemi me fuqinë e pushtetit, të cilën duhet ta sfidojmë në aspekte të gjera, qoftë në familje, në shkollë, në shoqëri, në shtet etj. Çështja është se sa je në gjendje të negociosh me fuqinë e pushtetit, veçanërisht nëse hapësira ime e konformizmit do të bënte hapësirën tënde të parehatshme, jokomode.
Ekspozita juaj e parë personale në Tiranë. Si po ndiheni?
Shumë mirë! Më në fund po flas shqip! E patëm të vështirë të bënim transportin pasi nuk është e lehtë të transportosh artin nga vendet e Bashkimit Evropian në vendet jashtë tyre. Këto janë çështje që institucionet përkatëse që punojnë me artin bashkëkohor duhet të kenë më shumë vëmendje. Ndërsa, çdo gjë tjetër ka shkuar më së miri , të gjithë janë munduar të japin maksimumin! Për momentin kjo ekspozitë e ka përfundimin këtu dhe pastaj do të kthehet në Munih.
Në fund çfarë gjurmësh do të dëshironte të linte kjo ekspozitë në Tiranë?
Mundësi të reja për komunikim dhe dialog. Dëshiroj të krijoj një lloj familjaritetit mes punëve të mia dhe artdashësve shqiptar, të ndërtohej një shkëmbim produktiv mes të dyja palëve. /Anila Dedaj/Shekulli/