Telegrafi

“Flaka e Janarit”, mesazhi i rrugës për liri

Akademia është organizuar nën patronatin e kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, i cili nuk ishte prezent, për shkak të një takimi që kishte me anëtarët e shteteve të Quintit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa në hapje të akademisë tha se “Flaka e Janarit” u mbajt nën kushte të jashtëzakonshme për disa vite, por ajo pavarësisht vështirësive ajo gjithmonë u mbajt në mënyrë të dinjitetshme.

Mustafa ka thënë se mirënjohja kryesore dhe respekti i pakufishëm u takon atyre që na e mundësuan themelimin, rritën, krijimin dhe shijimin e Flakës së Janarit e që janë heronjtë dhe dëshmorët tanë Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe të gjithë dëshmorët e hapësirës shqiptare.

I pari i komunës ka thënë se “Flaka e Janarit”, u themeluar edhe për një arsye tjetër, atë të angazhimit për lirinë e vendit.

“Flaka e Janarit u themelua edhe për një arsye tjetër të madhe e që ishte përçuarja e mesazhit, kristalt, zëshëm dhe qartë te okupatori se rruga dhe angazhimet tona për liri e kishin marrë hovshëm dhe seriozisht shpejtësinë e vet dhe kjo nuk do të ndalej më kurrë deri në realizim”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, Ismajl Syla këshilltar politik i Hashim Thaçit tha se Flaka e Janarit u ndez para 31 vitesh në Gjermani atje ku vepronin e punonin Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla.

Syla ka folur për dimensionin politik, kulturor e arsimor të Zekës e familjes Gërvalla.

“Ata kishin si synim bashkimin dhe unifikimin e njerëzve. Këta heronj të kohës fuqizuan indin intelektual, andaj me të drejtë do të themi se “Flaka e Janarit” pasqyron pjesën e ardhme të historisë moderne shqiptare” ka theksuar Syla.

Një fjalë rasti mbajti edhe akademiku, Mehmet Halimi, i cili tha se “Flaka e Janarit” e këtillë si është e dizajnuar me dinjitet po pasqyron vlerat tona kombëtare e çlirimtare.

Kjo akademi është organizuar nën patronatin e kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, gjë që ka gëzuar udhëheqësit komunal që është futur kjo nën ombrellën e Qeverisë së Kosovës.

Ky është edicioni i 22-të i “Flakës së Janarit” që nga themelimi i saj më 1991.

Ndryshe, këto aktivitet kanë filluar me 11 janar, ndërsa do të përfundojnë me 26 janar./Telegrafi/