Site icon Telegrafi

Fjorda Shabani theu rekordin e saj në ‘Tarragona 2018’

Notarët nga Kosova kanë përfunduar edhe ditën e dytë të garave në Lojërat Mesdhetare ‘Tarragona 2018’.

Suksesi më i madh i tyre ishte rezultati i talentes 13-vjeçare, Fjorda Shabani, e cila theu rekordin e Kosovës për seniore në 100 metra në shpinë.

Ajo pati kohën 1.07:69 sekonda. Kjo kohë është mjaft premtuese për të ardhmen e Fjordës dhe në përgjithësi notit të Kosovës. Ajo e mbante vet rekordin me kohë 1.08:27 sekonda.

“Jam shumë e lumtur që arrita ta përmirësojë kohën time dhe njëkohësisht të thyej rekordin”, ka pohuar ajo, citon Kosovapress.

Sa i përket pozitës së përgjithshëm të Fjordës në këtë disiplinë të Lojërave Mesdhetare Tarragona 2018, ajo u rendit e 10-ta nga 11 garuese.

Në të njëjtën disiplinë, Eda Zeqiri doli e 11-ta me kohë 01.09:42 sekonda. Në disiplinën 100 metra bretkosë, Dasar Xhambazi, doli i 18-ti nga po aq pjesëmarrës me kohë 01.11:51 sekonda.

“Jam stërvitur shumë dhe kam pritur që do ta thyej rekordin. Jam shumë e kënaqur, por mendoj se kam mundur të kem kohë edhe më të mirë. Sidoqoftë, është kohë shumë e mirë”, ka theksuar Fjorda Shabani.

Noti do të ketë gara edhe nesër (e hënë), ku edhe do ta përfundojë pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare ‘Tarragona 2018’.

Exit mobile version