Site icon Telegrafi

Fjalori i Mehmet Elezit dhe akademikë… pa fjalë

Fjalori i Gjuhës Shqipe, që për autor ka Mehmet Elezin, ka dalë nga shtypi për herë të parë në vitin 2006. Në këtë fjalor është përmbledhur një pasuri leksikografike, përkah numri i fjalëve, i barabartë me atë që ka Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (FGJSSH, 1980) i Akademisë, i cili ishte vlerësuar si më i madhi fjalor shqip-shqip i botuar deri tani. FGJSSH, ku thuhet se është përmbledhë e gjithë trashëgimia nga fjalorë të mëparshëm, ai i vitit 1954, por edhe të tjerë fjalorë të shqipes, filluar që nga i Kristoforidhit, i Bashkimit, i Gazullit etj. ka rreth 41 mijë fjalë. Kurse fjalori i Mehmet Elezit përmbledh edhe 41 mijë fjalë të tjera, të cilat nuk gjenden në fjalorët e Akademisë. Me shtjellime etimologjike dhe me më shumë se 5000 shprehje frazeologjike, nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, nga “Visaret e Kombit” e thesare të tjera popullore. Shumica dërmuese e këtyre fjalëve mund të quhen, pa metaforë, fjalë të përndjekura. Ose, thënë me një tjetër idiomë që e përdor si titull, një rishtar, Ernest Marku, në punën hulumtuese me fjalorë si, fjalë të turitme (të trembura, të tëhuajtura).

“Janë përjashtuar në përputhje me platformën oruelliane, me të cilën u hartuan FGJSSH (1980) dhe po ashtu Fjalori i 2002-shit, që në thelb iu përmbajt së njëjtës platformë përjashtuese”, siç thotë vetë autori në një intervistë të vitit 2006…

Po nuk është se e thotë autori; pohimin e bëjnë garant 1660 e më shumë faqet e fjalorit, në të cilat gjen fjalë e shprehje nga të gjitha trojet shqiptare ku flitet shqipja. Ka nga Veriu i Shqipërisë, nga Kosova, nga Plava e Gucia, nga Tetova e nga Lugina e Preshevës. Por, jo vetëm, siç e kanë përmendur jo radhë në mënyrë mënjanuese, sigurisht me një synim lokalizues, veriorizues, malokërizues a si të duash thuaj. Edhe pse në fakt në atë fjalor ka gjithashtu fjalë e shprehje edhe nga Çamëria e nga arbëreshët e Italisë, por edhe nga katunde të Vlorës, të Gjirokastrës a Lushnjës. Gjen aty fjalë nga vepra letrare e publicistike e Fishtës dhe e Anton Çetës, por ka fjalë edhe nga vepra e Konicës dhe e Kutelit. Dhe, po të vijohet me enumeracionin, vetëm përsëriten gjëra të njohura. Sigurisht, të njohura për ata që kanë dashur t’i njohin e t’i dinë.

Janë sjellë, pra, në këtë fjalor pasuritë e gjuhës shqipe në dialektin geg të saj, që u patën përjashtuar nga standardi, por dhe shumë më shumë se kaq. Në kohën e “qepur” standard, sipas shijes paranojake të udhëheqësit të atëhershëm të theqafjes sonë. Ithtarët e standardit ngulmojnë prapë sot ta ruajnë të paprekshëm, si atëherë gjashtë dekada më parë (sigurisht, asnjëherë nuk ka qenë fjala që të prishet e të shkatërrohet një standard për të ndërtuar një tjetër standard mbi gërmadhat e tij). Po ithtarët nuk kanë pranuar as të preket “me pupël” ai. E duan si fosile të kalcifikuar të nostalgjisë së tyre. Ani pse vetë gjuha është si një organizëm i gjallë. E këtë, sigurisht, ata e dinë. Më mirë se shumëkush, bile… Dhe, e keqja më e madhe është se ata vetë janë fosilizuar në atë ent shtetëror, publik e shumta prej gjys’ shekulli. Mbështjellë me koracën e fortë të titujve e gradave, e disa të fituara qysh atëherë kur ato jepeshin me vendime zyrash. Dhe askush s’e di se cilat janë punët e tyre të dobishme për t’u shënuar… hulumtuese apo shkencore.

Në 2017, njëmbëdhjetë vjet më pas, shënohet botimi i katërt i fjalorit të Mehmet Elezit. Sikur edhe asnjë germë tjetër të mos hedhësh në letër, ani pse Mehmet Elezi është autor edhe i një fjalori tjetër me emra njerëzish dhe i më se 20 titujve (libra) të tjerë, në poezi, në prozë e publicistikë, por vetëm fjalori të ishte, për një punëtor të fjalës, të studimit e hulumtimit, është sa segmenti i asaj pjese më aktive të jetës, që limitohet për punë intelektuale.

Por, edhe pse Fjalori i Mehmet Elezit ka kaluar katër edicione botimi, në aulat zyrtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nuk janë konsumuar as katër orë për të, për t’u përmendur a për të folur rreth kësaj pune. Qoftë edhe më e pakta si respekt për të, volumi i së cilës do të nderonte edhe një institut serioz shkencor e jo më një individ të vetëm. Le pastaj sikur kjo punë të trupëzohej në fondin e punëve akademike. Sigurisht, duke iu nënshtruar një vlerësimi të njëmendtë akademik, këshillave shkencore aty. Po kurrsesi të anashkalohej me heshtje. Një heshtje që zgjat pesëmbëdhjetë vjet!

Një rast ky, besoj i pakundndodhur, por edhe i paperceptueshëm për njerëz të eksperiencave të tilla në botën e qytetëruar.

Por, edhe më përtej. Një fond pa dyshim mjaft i madh leksikografik i shqipes, ka qenë mbledhë nga një punë e detyruar e mësuesve të gjuhës nëpër të gjitha shkollat e Shqipërisë përgjatë viteve 1970-80 e më këndej. Ndoshta edhe në traditën e papërmendur atëbotë të leksikografëve misionarë katolikë si Bardhi, Gazulli e Benedikt Dema.

A mund të dihet se ç’është bërë me atë fond? A është përdorur ai si lëndë për punë akademike në këtë fushë? Se ndonjë produkt akademik nuk e dimë se ka…

Më e pakta, u duhet kujtuar akademikëve (edhe pse e dinë mirë) se te Fjalori i Gazullit, i pari fjalor krahinor, të cilin vetë autori e pati quajt “Fjalorth i ri” u mbështetën pararendësit e tyre për të hartuar të parin Fjalor Normativ të Shqipes, atë të 1954-ës…

Mjafton që shumë syresh të çliroheshin prej paragjykimeve e ndoshta prej smirës që u shkakton puna e të tjerëve e me siguri do të jepnin edhe një tjetër përgjigje shumë më dinjitoze në emrin e Akademisë së Shqipërisë edhe për vendin e merituar që zënë në kulturën kombëtare shkrimtarë e gjuhëtarë si Koliqi e Camaj. Siç me plot arsye e të drejtë ua kërkonte pak ditë më parë poeti e studiuesi Primo Shllaku. E jo t’i lënë në dorë agjitpropësh çështjet më të rëndësishme të kulturës dhe të identitetit tonë kombëtar.

Exit mobile version