Mehmet Elezi
Në internet gjindet Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe. Me gjasë është Akademia e Shkencave që e ka futur.
Tridhjetë vjet mbas shembjes së komunizmit, fjalori numerik ofron të njëjtat shtjellime politike, jo shkencore, të fjalëve. Deri në banalitet.
Më doli rastësisht emri BRACÍ. Shpjegimi: “Vjedhje gjërash të vogla”. Fjalia ilustruese: “Ballistët ishin të vetmit për brací”.
Te fjala KLER, fjali ilustruese: “Veprimtaria reaksionare e klerit”.
Te fjala DEMOKRACI: “…Demokraci socialiste tipi më i lartë i demokracisë, formë e diktaturës së proletariatit, ku pushtetin e ka në dorë populli punonjës me klasën punëtore në krye dhe udhëheq partia e saj, ku masat e gjera punonjëse marrin pjesë drejtpërdrejtë në qeverisjen e vendit, në drejtimin e ekonomisë, në hartimin e diskutimin e planeve ekonomike e të ligjeve, kontrollojnë veprimtarinë e organeve të pushtetit etj. Demokracia proletare. Demokraci popullore formë e diktaturës së proletariatit…”.
Kaq mjafton besoj.
Për çështje në rrafshin e mirëfilltë gjuhësor jam shprehur në librin “Dritëhije në fjalorët e Akademisë – gjuha shqipe apo gjuha e fshatit tim?” (2018).
Tashti problemi është “teknik”. Nuk mund të digjitalizojë Akademia e Shkencave një fjalor, që të jetë thjesht fjalor i gjuhës shqipe?
Më e pakta: nuk mund t’i bëjë fjalorit numerik një pastrim nga fantazma e së djeshmes?