Hafiz Ali Kraja ishte figurë e madhe shqiptare, i pajisur me dije dhe me kulturë, i kthjellët në mendime dhe tepër i qartë në misionin e tij fisnik.
Ai rrezatonte një mirësi të thellë dhe ishte mjaft i dashur e i respektuar me të gjithë njerëzit, pa dallim feje, krahine e bindje politike. Por, krahas këtyre virtyteve tepër të larta që gëzonte, ai gjithashtu ishte një armik i papajtueshëm dhe hasëm i përjetshëm me të keqen, e në veçanti ajo që e dallonte nga të tjerat, ishte një armik i betuar i doktrinës komuniste.
Intelektualin e famshëm mysliman nga qyteti i Shkodrës, veç tjerash është tepër i njohur edhe për fjalimin e tij brilant mbi varrin e Gjergj Fishtës në 31 dhjetorin e vitit 1940.
Fjalimin e tij mund ta lexoni më poshtë:
“Poet kombëtar, Pater Gjergj!
Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…
Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të ‘Lahutës së Malcisë’, kryevepra jote monumentale.
Ta jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me ‘Lahutën e Malcisë’ ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…
Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”, ka thënë ai. /Telegrafi/