Arda Turan është bërë kryetemë e mediave turke pas sulmit fizik ndaj këngëtarit Berkay Sahin.
Incidenti ka ndodhur në një klub nate, ku Sahin ndodhej me gruan e tij, Ozlem Ada Sahin, ndërsa këngëtari ka thënë për gazetën Haberturk se Turan ia kishte ngacmuar gruan dhe pastaj e kishte sulmuar vet atë.
Mediat turke i kanë bërë publike disa detaje të reja që çuan deri te incidenti, ku është përdorur edhe arma.
“Po të mos isha i martuar, nuk do ta humbja një femër si ti”, citon Goal fjalët e Ardas drejtuar gruas së Berkayt që edhe kanë nxitur gjithçka.
Sahin e ka dërguar gruan në shtëpi, në mënyrë që t’i zgjidhë gjërat “si burrat” me futbollistin, i cili e ka goditur fuqishëm duke ia thyer hundën.
Sipas Daily Sabah, këngëtari është dërguar me urgjencën në spital, pasi ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore. Ndërsa, Turan ka shkruar edhe në spital, ku i ka kërkuar falje në një mënyrë të pazakontë.
31-vjeçari ka marrë një armë dhe ka shkuar në spital duke i thënë Berkayt: “Nuk e kam ditur se është gruaja jote. Më fal, thjesht më vrit”.
Në ndërkohë, për shkak të këtij incidenti, klubi Basaksehir e ka dënuar mesfushorin me gjobë prej 370.000 eurosh, ndërsa sipas Anadolu Agency, prokurorët kërkojnë dënim me burg prej 12 vjet e gjysmë për Turan dhe dënim me burg prej dy vjetësh për Berkay.
Prokuroria turke ka ngritur padi ndaj futbollistit, i cili akuzohet për ngacmim seksual, përdorim të palicencuar të armëve dhe shkaktim të qëllimshëm të dëmtimit. /Telegrafi/