Prestigjiozja britanike “The Guardian”, ka shkruar një artikull interesant rreth një fenomeni të ri drejt të cilit njerëzit janë të tërhequr kohët e fundit. Librat në audio (dëgjon tekstin të lexuar nga dikush tjetër) po shiten së fundmi shumë më shumë sesa ato të shtypura apo elektronike (e-book që lexohet në kompjuter, tablet dhe telefon). Dhe, për këtë koronavirusi ka patur ndikimin e vet. Ekspertët tregojnë pse.
“Kur vështroj pas përgjatë 2020-s, audio-librat mund të mos jenë e para gjë që më vjen ndërmend, por sigurisht kanë zënë një pjesë të veçantë e deri diku të çuditshme në këtë vit të turbullt. E para gjë që bëra përgjatë udhëtimit tim Covid-19, që në fillim të prillit, përgjatë tre javëve plot kollë dhe netësh të djersitura nga sikleti, ishte të nisja të dëgjoja një libër në audio. Zgjodha katër novela dhe ishte sikur të kisha aty pranë me mua katër miq të vjetër. Familjarizimi me fjalët dhe ideja që kisha aty me mua zërin e dikujt që lexonte në veshët e mi, ishte një ndjesi e mirë në këtë periudhë të vështirë.
Por, nuk isha i vetëm në këtë fenomen, tre vitet e fundit librat në audio po marrin një dallgë të madhe popullariteti dhe me sa duket karantina e ka intensifikuar procesin. Një raport i Deloitte zbuloi se shitjet globale të librave audio janë rritur me 25-30 për qind për vit, dhe mendohet se do të kenë një fitim prej 3.5 miliardë dollarësh brenda vitit, me ShBA-në dhe Kinën si dy superfuqitë e këtij fenomeni”, ka thënë Alex Preston.
Por, Deloitte thekson se rritja në shitje e librave audio nuk ka rënë në kurriz të atyre të shtypura. Dëgjuesit më të shumtë të librave në audio janë të rinj të moshës 20-30-vjeçare. Madje Deloitte thotë se ato po nxjerrin jashtë loje edhe librat elektronikë.
Shefi i Shtëpisë Botuese me famë botërore “Penguin”, Duncan Honeyman, tha rreth këtij fenomeni se “të jetë dikush që të lexon është diçka vërtet intime dhe e rehatshme, të duket sikur e thyen atë rutinën në një kohë që njerëzit po ndjehen të izoluar njëri nga tjetri”.
“Ka dhe diçka tjetër, një libër audio mund ta blesh aty në moment, dhe të fillosh ta dëgjosh menjëherë, mund ta dëgjosh dhe kur bën punë të tjera si të gatuash apo bësh punët e shtëpisë,” thotë ai.
Honeyman zbulon se librat audio më të shumtë të shitur në kohën që jetojmë janë ato që flasin për jetën, botën që na rrethon dhe misteret e saj. /TCh/