Site icon Telegrafi

Fjalët fyese mund të shkatërrojnë neuronet tek fëmijët

Përse zbulimet e reja mbi trurin do të ndryshojnë mënyrën e edukimit të fëmijëve?

Studiuesit e shekullit XXI na thonë se ajo që ndihmon zhvillimin e mirë të fëmijës është: një marrëdhënie dashamirëse, empatike, mbështetëse. Sepse një qëndrim i tillë i lejon trurit, shumë i brishtë, të evoluojë në mënyrë optimale, transmeton Telegrafi.

Lidhjet afektive ndikojnë aftësitë e kujtesës, të të mësuarit, të të menduarit, por edhe aftësitë relacionale, emocionet, ndjenjat. Ato modifikojnë sekretimin e molekulave cerebrale, zhvillimin e neuroneve. Gjithashtu rregullimin e stresit, madje edhe aftësinë për të vepruar të disa gjeneve.

Psikiatri John Bowlby, thoshte se nevoja për atashim ishte vitale për fëmijën, neuroshkenca e ka konfirmuar këto 10 vitet e fundit.

Përse përbën një revolucion?

Shumica e prindërve janë rritur me kërcënime, të detyruar të veprojnë sipas rregullit të famshëm “ Po numëroj deri në tre: 1,2…”. Kështu që edhe ata vetë e zbatojnë këtë lloj dhune, pa imagjinuar pasojat psikologjike por edhe ato fiziologjike . “Sa i ngathët je!”, “Je i padurueshëm”, këto fjalë fyese, të përsëritura shpesh, mund të shkatërrojnë neuronet, në strukturat kryesore të trurit.

Çfarë kemi mësuar tjetër duke vëzhguar mënyrën si funksionon truri i fëmijëve?

Shkenca na tregon se duhet të heqim dorë nga bindja se zemërimet e fëmijës janë të qëllimshme. “Tekat” nuk ekzistojnë! Këta fëmijë i quajmë “tiranë”, ndërkohë që ata janë thjesht të paaftë të menaxhojnë emocionet e tyre, para moshës 5 ose 7 vjeç.

Një nga zbulimet e mëdha të neuroshkencës është që i vogli nuk mund të qetësohet vetë. Kur një fëmijë 18 muajsh shtrihet në tokë, këtë nuk e bën për të manipuluar prindërit, për të arritur qëllimet. Ai përjeton një stuhi emocionale që është më e fortë se ai. Prindërit e tij thonë “Nuk duhet të lëshojmë pe”, a thua se bëhet fjalë për një raport forcash ku duhet të dalin ata të fituar.

Në fakt, puna qëndron ndryshe. Duhet të qëndrojmë pranë fëmijës për të gjetur fjalët për atë që ai ndien, për ta qetësuar, ngushëlluar. Por pa iu nënshtruar të gjitha dëshirave të tij, nëse këto të fundit nuk janë të justifikuara.

Ku ta gjejnë prindërit dashamirësinë kur bota jashtë është kaq e ashpër?

Ata duhet të rrethohen nga një rreth familjar edhe ai i ngrohtë dhe dashamirës. Duhet qëndruar larg njerëzve toksikë, duke filluar nga bashkëshorti, nëse ai është i dhunshëm.

Nuk duhet “të qëndrojmë të martuar për shkak të fëmijëve” siç thuhej në brezin e mëparshëm. U këshilloj gjithashtu prindërve të trajnohen nëpër stazhe ose me libra mbi komunikimin pa dhunë, një metodë që bën të mundur krijimin e marrëdhënieve më të harmonizuara. Dhe sidomos, prindërit të mos e harrojnë veten. /Telegrafi/

Exit mobile version