Të premten në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) është mbajtur konferenca për media, ku është prezantuar përzgjedhësi i ri i Kosovës, Christos Marmarinos, derisa shumë i lumtur për marrëveshjen e arritur ishte edhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.
Ndërkohë, drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, ka prezantuar listën e gjerë për ndeshjet ndaj Islandës dhe Luksemburgut dhe shtabin teknik.
Përzgjedhësi i Kosovës ka thënë se është një nder të drejtojë Kosovën.
“Fillimisht dua të them se kam hasur në një mikpritje të ngrohtë nga drejtuesit e FBK-së dhe po ndihem shumë mirë. Jam i nderuar që do të drejtoj Kosovën dhe do të kem mundësi të punoj me lojtarët e Kosovës. Për mua është një mundësi e mirë, por shpresoj se do të bëjmë një punë të mirë bashkërisht dhe do të kemi suksese. Synimi ynë të fitojmë. Kemi dy ndeshje të vështira, por ne do të përqendrohemi në forcat tona dhe lojtarët që kemi”, ka thënë Marmarinos.
Ndërkohë, Rugova ka prezantuar shtabin teknik: Bujar Loci, Gyltekin Selimi, Dritëro Sefaja, Illmen Bajra, Merkur Dobroshi, Kujtim Shala, Admirim Krasniqi, Granit Rugova dhe Edita Mendunjanin.
Rugova bëri publike edhe listën e gjerë, ku janë 17 lojtarët, listë që më pas do të shkurtohet në 12. Basketbollistët e ftuar janë: Alban Veseli, Altin Morina, Dardan Berisha, Drilon Hajrizi, Edmond Azemi, Ergin Grosha, Erjon Kastrati, Fisnik Rugova, Gëzim Morina, Leonard Mekaj, Meriton Ismaili, Mikaile Tmusiq, Samir Zekiqi, Shawn Jones, Ujkan Karanezi, Urim Zenelaj dhe Valon Bunjaku.
Përgatitjet e Kosovës do të fillojnë më 17 shkurt (e hënë), derisa ndeshja e parë e Dardanëve është ndaj Islandës në Prishtinë më 20 shkurt, kurse sfida e dytë ndaj Luksemburgut në udhëtim më 23 shkurt.
Ndeshjet janë të vlefshme për parakualifikimet për Botërorin 2023.