Site icon Telegrafi

Fjalë pak e punë shumë, Ardian Nuhiu, trajneri që bëri të gjithë për vete me qetësinë e tij

Erdhi te Drita si ndihmës i trajnerit Shpëtim Duro dhe pak kush në qytetin e Gjilanit dinin për të.

Si ndihmës i Duros qëndroi vetëm gjashtë muaj, pasi klubi e largoi trajnerin nga Shqipëria dhe ia besoi postin e trajnerit të parë shkupjanit Ardian Nuhiu.

Trajneri shkupjan e mori timonin e Dritës në duar dhe arriti ta ngritë përsëri në majat e futbollit kosovar klubin gjilanas.

Në ato pak muaj të sezonit 2018/19, Nuhiu tregoi se do të bëjë gjëra të mëdha me Dritën, pasi e largoi klubin nga pjesa e poshtme e tabelës dhe e përfunduan sezonin në vendin e katërt me 48 pikë, 32 më pak se kampioni Feronikeli.

E puna e madhe që ka bërë me skuadrën dha frytet e saj në edicionin 2019, kur Nuhiu arriti ta fitoj titullin e parë në karrierë si trajner dhe të tretin në histori të Dritës.

Ishte një kampionat i zjarrtë, ku bardhekaltërtit e përfunduan sezonin me 68 pikë sa kishte edhe rivali lokal Gjilani, por që me ndeshjet direkte Drita u shpall kampion i Kosovës.

Sukseset e Nuhiut me Dritën vazhduan edhe në Evropë, ku Drita u bë skuadra e parë kosovar që arriti deri në raundin e tretë të Ligës së Evropës, që është sukses historik i një skuadre kosovare.

Shkupjani njihet si një trajner shumë i qetë, i matur në deklaratat e tij, por që puna e tij flet më shumë se fjalët.

Me plot sukses po e udhëheq Dritën edhe në edicionin 2020/21, ku ka arritur ta mbyll stinorin vjeshtor si kampion i Kosovës me 41 pikë të tubuara, tri më shumë se ndjekësi më i afërt Ballkani.

42-vjeçari deri më tani ka udhëhequr Dritën në 73 takime, ku ka fituar 1,96 pikë për ndeshje.

Ish-sulmuesi i famshëm së fundmi është zgjedhur edhe trajner i vitit si nga redaksia e sportit në Telegrafi.com ashtu edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Në një intervistë për Telegrafin, Nuhiu flet për të gjitha, titullin e kampionit, ndeshjet në Evropë, ndeshjen më të mirë e më të dobët, si dhe për jetën në Gjilan.

Si ishte viti 2020 për ju si trajner?

Nuhiu: Viti më i vështirë doli të jetë viti më i suksesshëm për mua… Pas shumë vështirësive që hasëm këtë vit, klubi jonë arriti të fitoj titullin e kampionit. Është dashur kujdes dhe menaxhim shumë të mirë në çdo aspekt. Udhëheqësit duke kryer obligimet e tyre edhe në këto kohë të vështira siç ishte pandemia, ku e dimë se shumë klube u përballen me vështirësi, por jo edhe klubi jonë. Futbollistët treguan profesionalizëm dhe personalitet në kohën e karantinimit ku ata atë pak kohë që kanë pasur për të lëvizur e kanë shfrytëzuar për stërvitje ku çdo ditë kanë marrë plan programin nga stafi teknik.

Arritët ta fitonin titullin e tretë në histori të klubit me Dritën dhe të parin personal në Kosovë?

Nuhiu: Arritja deri tek titulli i tretë për klubin dhe i pari për mua ishte falë vendimeve të drejta duke filluar nga presidentët, duke caktuar udhëheqës për të menaxhuar projektin. Drejtuesit duke na besuar neve si staf dhe në bashkëpunim me udhëheqësit duke ndërtuar ekipin. Baza dhe më kryesorja është ruajtja e grupit cilësorë dhe të dëshmuar në kampionat dhe afrimi i futbollistëve kualitativ.
Futbollistët krijuan diçka të madhe. Ata e kuptuan që fjala NE është më e fuqishme se fjala UNË dhe kjo të çon drejt suksesit. Është titulli im i parë dhe jam falënderues gjithmonë familjes FC Drita, Intelektualëve për mbështetjen, stafit tim, ekipit mjekësorë, njeriut i cili kujdeset për higjienën tonë dhe ata të cilët do të jetojnë gjithmonë me mua, futbollistët.

Drita shkëlqeu këtë vit edhe në Evropë, si i keni parë ato ndeshje dhe a besoni se ka mundur skuadra juaj të bëjë diçka më shumë?

Nuhiu: Jam krenar me djemtë për arritjet në Evropë. Nuk diskutohet se gjithmonë kërkojmë më tepër, por gradualisht duke u rritur. Më vjen mirë që po këta futbollistë shkruajtën histori dhe ecën një nivel më lartë. Na ngelet peng diskualifikimi nga Liga e Kampionëve, pandemia edhe në aspektin psikologjik nuk na lënë të qetë sepse pas çdo testimi ishim në stres se cili mund të rezultojë pozitiv.

Drita arriti të shpallet edhe kampion vjeshtor në Superligë, në një konkurrencë mjaftë të ashpër?

Nuhiu: Konkurrenca nga viti në vit po rritet, futbolli në Kosovë është rritur shumë pasi ka gjashtë ose shtatë skuadra që po investojmë shumë. Përveç futbollistëve vendor me shumë cilësi dhe karakter të fortë, në Kosovë po arrijnë edhe futbollistë nga shtetet tjera me cilësi dhe niveli shkon duke u rritur. Sistemi me 10 skuadra sjell çdo javë nga një apo dy derbi dhe kjo e bënë edhe më të fortë dhe më të zjarrtë kampionatin. Gjithsesi deri në fund do të jetë një garë e jashtëzakonshme.

Jeni zgjedhur trajneri i vitit fillimisht nga redaksia e sportit në Telegrafi.com pastaj edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës. Çfarë do të thotë kjo për ty?

Nuhiu: Fitimi i çmimit si trajner i vitit më jep motiv shtesë për të punuar edhe më tepër, rritën përgjegjësitë dhe nuk do të kënaqem me kaq. Tani do të jem edhe më i uritur për të mësuar në vazhdim.

Cilat skuadra i shihni konkurrente për titullin e kampionit në sezonin 2020/21?

Nuhiu: Llogaritë nuk do t’i bëjmë në gjysmë të rrugës. Ka edhe shumë ndeshje dhe këtu do të jenë ekipet të cilat do të luftojnë bashkë me në për titull si Ballkani, Prishtina dhe Gjilani.

Në skuadër keni shumë yje, por si trajner i ri sa është e vështirë të menaxhohen?

Nuhiu: Kam një grup futbollistësh shumë profesionist, yje po, por me një karakter shumë të fortë dhe me përgjegjësi. Gjërat i kemi të ndara në aspektin profesional. Fillimisht jemi shok me të gjithë dhe brenda klubit jam trajner. Menaxhimi është i lehtë në momentin që ke një grup futbollistësh të uritur për sukses dhe me mendime madhore.

Edhe pse është e vështirë të dallohen, por cili është futbollisti që më shumë e keni për qejfi?

Nuhiu: Nuk mund ta veçoj asnjë futbollistë, të gjithë janë të rëndësishëm. Çdo futbollist ka vlerat e veta dhe cilësitë e veta, për gjithë secilin kemi nevojë dhe asnjëri nuk është rastësisht tek Drita, pasi është se ka kualitet dhe është i nevojshëm për ekipin.

Cili është futbollisti që keni gjithmonë debate ose diçka të tillë në stërvitje apo në ndeshje?

Nuhiu: Nuk kemi debate me asnjë futbollistë, sepse përveç vlerave sportive i shohim edhe vlerat njerëzore tek ta në momentin kur i zgjedhim futbollistët për t’i afruar në skuadër.

Futbollisti më i mirë në Kosovë sipas teje?

Nuhiu: Nuk do të veçoja asnjë futbollist, sepse në Kosovë ka shumë futbollistë cilësorë dhe futbolli është lojë kolektive, duhet të funksionojë si grup.

Cila është ndeshja më e mirë e juaja si trajner i Dritës dhe ajo më e dobëta.

Nuhiu: Lumturia është më e madhe kur vjen me shumë vështirësi. Do të veçoja ndeshjen me Gjilanin, ku kemi mundur edhe të pësonim humbje, por mos dorëzimi i futbollistëve bëri që gjithçka të kthehet në anën tonë dhe të fitojmë ndeshjen me një rikthim sensacional, ku për një minutë përmbysëm rezultatin dhe fituam 3:2 në fundin e ndeshjes. Ndërsa sa i përket ndeshjes më të dobët ishte ajo ndaj Trepçës ’89 në vitin që dolëm kampion. Ishte ndeshja e fundit e gjysmë stinorit dhe pësuam 3-1.

Si është jeta e juaj në Gjilan, jeni ambientuar me qytetin?

Nuhiu: Është e lehtë të ambientohesh me një qytet ku gjuha e tyre është futbolli. Gjilanasit janë mikpritës dhe thjesht ndjehem si të jem në shtëpinë time.

Diçka për vitin 2021, cilat janë synimet tuaja dhe të klubit?

Nuhiu: Uroj të kalojë sa më shpejtë kjo pandemi, të kemi shëndet dhe t’i kthehemi jetës normale. Qëllimet i kemi të qarta, por do të jetë një garë e fortë deri në fund dhe do të duhet shumë punë. /Telegrafi/

Exit mobile version