Site icon Telegrafi

Fjalë monumentale… a monument pa fjalë për Fishtën

In memoriam: Gjergj Fishta (23 tetor 1871-30 dhjetor 1940)

Qyshsekur Fishta është rikthyer gjithëmeritueshëm e njëherësh edhe si një “mea culpa” e jona në letrat shqipe, në kulturën e në kujtesën kombëtare të shqiptarëve, aty ku qe gjëndur të ishte hirëplotë kur pati mbyllë sytë e qe nisur në amshim, me 30 dhjetor 1940, për té nuk kanë méjtë (pakësuar – Fjalor i Gjuhës shqipe, 1954, ribotimi fq.303) fjalët monumentale. Prej gjithëkah e prej gjithëkund. Prej dashamirëve të Fishtës, më së pari. Prej me të vërtetë dashamirëve të tij e të veprës së tij. Që kanë qenë e janë të shumtë e të panumërt. Prej gjithëkund e prej gjithkah. Po edhe prej “dashamirëve të vetvehtes”, gjithashtu. Prej shumë aso njerëzish, që kanë kujtue e kujtojnë se duke përmendë shpesh e ma shpesh gjenitë, diçka si poleni i luleve prej puhizave të ernave të pranverës u bie edhe atyne përmbi supet e veta…

Nejse asgjë e keqe nuk ka ardhë e as nuk vjen prej kësaj. Përkundër mirë është bërë e më mirë mund të bëhet nëse ritmi i përmendjes nuk bie. Se është e nevojëshme, posë të tjerash për ta përcjellë flladin e gjeniut si polen në kujtesën e brezave që janë e të atyre që vijnë, sidomos. Mirë bëjnë edhe ata, që në rrjetet sociale gëlojnë fjalët e retorikës supermonumentale: “Një milion shqiptarë për ndërtimin e shtëpisë së Fishtës” – bie fjala, që… të krijon imazhin e tufës së milingonave në vargun e pafund drejt stofullës së tyre përgjatë zhegut të verës. Veçse në rrugën e kthimit me krahët bosh(!)… Të tjerë, gjithashtu lundrojnë, prap në detin e paanë të virtualitetit për origjinën a vendlindjen e tij, gjithnjë në qerthullin e fjalëve monumentale: Fishta asht ky… e Fishta asht ai… Me dëshirën e lexueshme se kështu edhe atyre vetë, si bashkëvendës të vërtetë a të dëshiruar për të qenë të tillë, do t’u mëkohet sadopak nga poleni i gjenialitetit të Fishtës. Po… aní se ndodh të përsëritet si retorikë e rëndomtë edhe kjo thirrja virtuale, kjo gjëja e kollajshme fort, tashti në kohën e teknologjisë. Se nuk bën ndonjë dëm megjith kotësinë e vetë retorikës.

E gjitha kjo është ende shërbim kurues për plagën e madhe që pat hap harresa e mospërmendja e përdhunëshme as e emrit e për më dhimbshëm as e veprës së tij. Veprës në dobi të letërsisë, të kulturës e të historisë, në dobi të antropologjisë sonë përmbi të gjitha, përcaktimit dhe disenjimit të së cilës i shërbei si askush tjetër Fishta. Së paku prej fillimit të shekullit të shkuar, më 1905 kur botoi këngën e parë të “Lahutës…” e këndej.

Me veprën e veprimin e vet, Fishta është pa mëdyshje “Primus inter pares” – i pari në mes pak, tepër pak të barabartëve si ai, të cilët përbënë Shqipërinë që kemi. Shqipërinë që edhe mund të mos e kishim pa kontributin e tyre…

E për gjithësa ka bërë, Fishta është përcjellë për në amshim me nderime si askush deri atëherë, nga brenda e jashtë Shkodrës, nga qyteti e Malësia, nga mbarë Shqipëria fund e majë, por edhe përtej Shqipërisë. Nderime e vlerësime të pafundme superiore.

Jo vetëm nga dishepujt e tij, për të cilët qe ylli polar, por edhe nga personalitetet më të shquara të shkrimtarisë e të kulturës në vendin e vet, në Ballkan e në shtete përreth të Evropës si: Maksimillian Lamberz, Norbert Jokli, Petrotta, A.Balldaçi, Erëin Stranik, Gabriele d’Annunzio, Karl Steinmetzi… Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Lasgush Poradeci, Asdreni, Koliqi, Lefter Dilo, Martin Camaj… etj.

I rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri, Akademik i Akademisë Mbretërore të Italisë, i pari shkrimtar shqiptar i nominuar për çmimin Nobel, i dekoruar nga Turqia, Austria, Greqia dhe Vatikani, Fishta (me të tjerë) “bëri” gjuhën shqipe. Alfabetin që kemi sot e ka bekuar e pagëzuar ai në krye të Komisionit të Alfabetit në Kongresin e Manastirit më 1908…

Fishta la një opus të plotë e të realizuar letrar, shtrirë në të gjitha gjinitë: lirikë, epikë, dramatikë, satirë, eseistikë dhe publicistikë.

Vepra e Fishtës, prej shtatë vjetësh është e botuar në mënyrë integrale. Krejt me njetin dashamirës të do punëtorëve pasionantë të dijes: Tonin Çobani, Ndue Zef Toma (i ndjerë), Tefë Topalli, Stefan Çapaliku dhe Hamit Boriçi si një sipërmarrje private. Nën indiferencën sistematike e madje nën shpotinë (nënvlerësimin, talljen e shtetit shqiptar.). Vepra e gjitha, e plotë, e kuruar me dijetarë e njohës të mirë të tij filologë, është nëpër duar të kujdo që e dëshiron ta njohë e ta shijojë.

Këto e të tjera përbëjnë monumentin që Fishta na ka lënë.

Fjalë monumentale … a monument pa fjalë për Fishten ?

Pra, edhe dyzimi: Fjalë monumentale… a monument pa fjalë për Fishtën e ka një kufi. Ai s’mund të gjallojë pambarim kështu. Se pamëshira e kohës ndodh që raportet i përmbys. Dhe unë besoj se jemi në këtë pikë.

Ka ardhër koha e bile ka kaluar që dyzimi duhet të bjerë. Duhet të kthehemi tek monumenti për Fishtën në vend të fjalëve monumentale. A në vend të debatit shterpë, provincial e dëmtor: A asht prej Fishte, Gjergj Fishta a prej Domgjonit (!) të kthjellohemi se Fishta nuk e ka vendin nëpër ferrat e kodrinave të buta e maleve të thepisuna, por në sheshet e Tiranës e të Shqiptarisë. E kjo s’është aspak një “deus ex machina” – një gjë e kërkuar pra, por është realiteti që më së fundi duhet të shihet në sy. Prej prijësve të Shqipërisë, sidomos. Është i paarsyeshëm tashmë qortimi për qeverinë se i ka bërë dy shtëpi muze Kadaresë, një në Gjirokastër e një tjetër në Tiranë. Krejt i paarsyeshëm është. Shumë mirë ka bërë qeveria për dy shtëpitë e Kadaresë. Aq sa ç’është e arsyeshme t’i “shkulen brinjët” qeverisë për shpotinë e neverinë e shfaqur sistematikisht për Fishtën. E t’i bëhet me dije asaj e shtetit të shqiptarëve se Fishta është kontributor i madh e kreatori i shpirtit të tij, përmbi të gjithë. Fishta është i vetmi ndër shërbestarët e kombit që Shqipërinë e shërbei këtu, në Shqipëri. Asnjë tjetër si ai. Me “zavalle krejet” (halle, telashe) të panumërta. Aq sa ç’është e pafalëshme për Kadarenë, shkrimtarin më të madh ndër të gjallët të shqiptarëve, që prej gati tridhjetë vjetësh nuk lëshon një tingull a një fjalë për Fishtën… Që besoj se do t’i bënte mirë edhe vetë atij . E aspak nuk do t’i zinte hisen e diellit.

Kurse, zotit kryeministër të Shqipërisë, do t’i kujtoja gjithashtu se po të pyetej Lasgushi, se ç’emër duhet t’u vihej atyre fluturakëve simbolikë, që ai hedh tash e parë në ajrínë fantastik të Shqipërisë të krijuar prej tij, vetë Lasgushi, të parin fluturak do ta pagëzonte me emrin e Fishtës. Plotbesueshëm kjo që po them përderisa, në gjallje të vet, “poeti i liqerit” qe shprehur për Fishten, se ai është: Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar.

Exit mobile version