Nga: Khalil Gibran
Përktheu: Bajram Karabolli
Zgjohem në mëngjes dhe shoh fjalët, ulur pranë meje, në faqet e letrave, gazetave dhe revistave. Dhe fjalët më hedhin shikime, plot dinakëri dhe gënjeshtra.
Atëherë, ngrihem dhe shkoj e ulem pranë dritares, për ta çliruar veten time nga veli i gjumit, me një filxhan kafe, por edhe fjalët ngrihen, më ndjekin pas dhe vijnë ulen përballë meje, të paturpe dhe djallëzore. Pastaj, zgjatin dorën, kapin filxhanin e kafes dhe pinë kafe bashkë me mua. Nëse unë pi cigare, edhe ato pinë cigare bashkë me mua.
Unë dal e shkoj në punë dhe fjalët më shoqërojnë, duke më shushatur veshët dhe duke turbulluar mendjen. Përpiqem t’i dëboj, por ato qeshin dhe tallen me mua, pastaj, përsëri, më pëshpëritin e më gumëzhijnë në vesh, duke m’i bërë trutë dhallë.
Unë eci nëpër rrugë dhe shikoj fjalë që lëvizin nëpër dyqane dhe gjithandej. Edhe në muret e shtëpive shikoj fjalë që rrinë e prehen. Fjalë shikoj edhe në fytyrat e njerëzve, kur ata janë të qetë dhe të heshtur, por edhe kur lëvizin dhe bëjnë gjeste.
Kur ulem për të biseduar me një mik, fjalët ulen me ne. Dhe, nëse takoj një armik, fjalët fryhen, shpërndahen, shumohen dhe përfundojnë duke formuar një ushtri të jashtëzakonshme, e cila shtrihet nga një kontinent në tjetrin.
Unë hyj në gjykata, shkolla dhe institucione dhe çfarë gjej, thoni ju? Fjalë dhe vetëm fjalë. Sa më shumë fjalë. Dhe që të gjitha shërbejnë si një kornizë për gënjeshtra dhe dinakëri.
Shkoj në fabrikë, në zyrë, apo në shërbimet publike dhe gjej fjalë, të mbledhura si familje apo si fise dhe, të gjitha, më shikojnë me harbutëri, pastaj qeshin dhe tallen me mua.
Dhe nëse më mbetet kohë dhe energji e mjaftueshme për të shkuar në kishë apo në tempull, edhe atje, gjej fjalë mbi frone mbretërorë, me kurora mbi kokë dhe me skeptra, të gdhendur imët dhe të buta në prekje, në dorë.
Dhe kur vjen nata dhe kthehem në shtëpinë time, gjej po ato fjalë që kam dëgjuar gjatë ditës, disa të varura nga tavani si gjarpërinjtë, disa të tjera duke u endur qosheve si akrepat.
Fjalë në krahët e eterit. Fjalë mbi valët e detit. Fjalë në pyje, fjalë në shpella, fjalë në majë të maleve.
Fjalë kudo. Ku mund të fshihen ata që kërkojnë paqen?
O Zot, mëshiromë dhe shpëtomë nga fjalët duke më bërë të shurdhër! O Zot, më shpjer në parajsën e qetësisë së përjetshme, sepse vetëm atje mund të jetoj i lumtur! Më shpjer, o Zot, në një cep të lirë në faqe të dheut, ku të mos ekzistojnë trazirat dhe ngatërresat e gjuhëve, ku fjalët nuk shiten dhe as blihen, nuk jepen dhe as merren!
A do të ketë, midis banorëve të tokës, ndonjë që nuk e adhuron veten, kur flet? A do të ketë, midis bijve të Adamit, ndonjë, goja e të cilit të mos jetë streha e gënjeshtrave?
Nëse llafazanët do ishin vetëm të një lloji, unë do t’i duroja dhe do t’i pranoja ata. Por ato i përkasin llojeve dhe kategorive të panumërta.
Ka llafazanë të ngjashëm me bretkosat, të cilët jetojnë tërë ditën në batak dhe, kur vjen nata, afrohen në anë të batakut, njësoj si bretkosat, nxjerrin kokën mbi ujë dhe fillojnë të prishin qetësinë me zëra aq të tmerrshëm sa kush i dëgjon nuk i duron dot.
Ka llafazanë që ngjajnë me mushkonjat. Edhe ata janë produkt i batakut dhe llumit. Ata vijnë vërdallë rreth nesh dhe na gumëzhijnë në vesh, vetëm e vetëm, të na irritojnë dhe të na bezdisin ne.
Ka llafazanë të ngjashëm me gurët e mullirit, të cilët prodhojnë të njëjtën zhurmë djallëzore si gurët e mullirit.
Ka llafazanë që u ngjajnë lopëve, të cilët, njësoj si lopa, pasi mbushin barkun me bar, rrinë qosheve dhe shesheve duke lëshuar në ajër pëllitjet e tyre.
Ka llafazanë të ngjashëm me bufin, të cilët e kalojnë kohën midis varrezave të të gjallëve dhe varrezave të të vdekurve, duke lëshuar mbi të dy palët kukamat e tyre të zymta.
Ka llafazanë që janë si daullet, të cilët godasin veten me shkop, dhe nxjerrin nga gojët e tyre të zbrazëta, tinguj po aq të padurueshëm sa të daulleve.
Ka llafazanë të ngjashëm me boshtin e furkës tjerrëse, të cilët enden kot, sa andej këtej, me mendjen bosh dhe pa stisur gjë.
Ka llafazanë që i ngjajnë bulkthit, që, duke e konsideruar veten zbutës të botës, siç thotë poeti, vërtiten duke fishkëllyer, gjithandej.
Ka llafazanë të ngjashëm me kambanat, që i thërrasin njerëzit për të shkuar në shenjtërore, ndërsa ata vetë qëndrojnë jashtë.
Po nuk mbarohen llojet dhe kategoritë e llafazanëve!
Dhe tani, që e zbraza përçmimin tim për llafet dhe llafazanët, ndjehem si një mjek i sëmurë ose një kriminal që u këshillon paqe kriminelëve të tjerë.
I qortova llafet me llafe. Dhe, duke dashur të isha sa më larg nga llafazanët, e tregova veten se jam një prej tyre.
A do të më falë Zoti, përpara se të më dërgojë në Luginën e Mendimit, të Ndjenjës dhe të Vërtetës, ku nuk ka llafe dhe llafazanë?!