Të gabosh është njerëzore,por të mbetesh këmbëngulës në gabime,është djallëzore. (Proverb latin)
Sikur i pari në një familje, që ka obligim të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve në atë shtëpi, ku ai llogaritet si kryesori, dhe ku fjala e tij ka peshë të veçantë, si në raport me anëtarët e familjes, poashtu edhe me fqinjët, farefisin, miqtë, por edhe me të tjerët, gjithashtu, është obligim i po atij kryefamiljari, që të reflektojë në radhë të parë dituri, zhdërvjelltësi, por edhe guxim dhe kreativitet, për të tejkaluar çdo sfidë që paraqitet, në çdo kohë, dhe nga çdo kushdo qoftë.
Pra, kryefamiljari i mirë, me punën që bënë, pos që rritë autoritetin e vet, te familjes dhe shoqërisë, në veçanti ngritë namin, për qeverisje të suksesshme, dhe kuptohet, krijon bagazhin e vet pozitiv apo negativ e që varet kryekëput nga (keq)qeverisja që banë në vazhdimësi i pari i kësaj familje (figurativisht).
Cili ishte dhe është autoriteti i z.Thaçi?
Edhe nga të tjerë, është thënë dhe shkruar, se në kontinuitet, Kryeministri aktual dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë pjesë kyçe e ngjarjeve dhe proceseve që përcollën Kosovën që nga vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar, dhe deri më ardhjen në krye të Ekzekutivit, përkatësisht të shpalljes së Kosovës Shtet i Pavarur, kontributi dhe angazhimi i tij, me përjashtime, nuk është kontestuar në masë të madhe.
Pa hyrë në detaje, dhe pa tendencë e qëllim, që të madhërojë apo ironizojë figurën dhe përsonalitetin e z.Thaçi, periudha prej se mori timonin e të parit të Qeverisë, dhe në veçanti regrutimi dhe instalimi afër vete, të njerëzve apo personave të cilët jo vetëm që nuk kanë prodhuar asnjëherë pozitivitet, produktivitet e as kreativitet, në pozitat që kanë mbajtur gjatë këtyre afër 4 viteve, por gjithnjë u sollën dhe po sillen, nga pozita e robit dhe shërbëtorit, duke përfituar falë benfiteve dhe mundësive që u jep Shefi, e kur dihet se Kosova është vend i vogël, dhe pothuaj të gjithë njihemi mes vete, nuk është për t’u çuditur që afër dhe me Thaçin janë gjithëkushi dhe kurrkushi, e që tregon edhe për vizionin e tij si lider, vizionar dhe burrështetas që e deshëm apo jo, e pranuam apo jo, është Ai të cilit edhe pse po i “këndohen ditë të zeza”, po i shkon “kungulli mbi ujë”.
Përkundër këtij realiteti, në të cilin po kalon Kosova, nuk i janë dashur asnjëherë dhe nuk i duhet edhe tani e tutje z.Thaçi, persona që i “thurin oda”, e “i rrahin shpinën duke e lavdëruar”, por edhe të tillë që shkruajnë shkrime si në kohën e sistemeve më të errëta moniste me tendencë njollosjeje e etiketimi, ndaj atyre që nuk pajtohen me të e që shprehin qëndrime jo si mendon dhe vepron Kryeministri, nuk i duhen njerëz që fillimisht, përmes shkrimeve më herët u çonin selam për ndonjë post në qeveri apo ambasadë, deri sa të futen brenda e pastaj t’ia fusin “gjumit dimëror”, nuk i duhen njerëz që kanë pasur dhe kanë problem me ligjin, por pse jo edhe me Kanunin…
Pse hesht Kryeministri kur hetohen Ministri e ministra, Guvernatori, drejtori…?
Lideri i mirë dhe i ndërgjegjshëm e dinjitoz, reagon dhe deklarohet para opinionit vendor edhe ndërkombëtar, pos kur situata në atë vend është e mirë dhe stabile, edhe kur vendi është në krizë dhe kuptohet kërkohet rrugëdalje nga ajo situatë e që është obligim që i pari i atij vendi ta orientojë dhe të kurajojë popullatën.
Kosova, në veçanti, dy vitet e fundit, po ballafaqohet, me sfida e probleme, të cilat, kanë kërkuar dhe kërkojnë reagim dhe angazhim konkret, për t’u tejkaluar kjo situatë, dhe atë, në radhë të parë, në sferën e sundimit të ligjit dhe sigurisë, por edhe dukurive tjera.
Lideri i profilit të Hashim Thaçit, i cili kuptohet është personi numër Një në vend, (me zor apo dëshirë, i imponuar apo i votuar), e që po argumentohet në praktikë, me fuqinë që ka krijuar, si në institucione shtetërore, shoqata…, në media, segmente të sigurisë, pastaj edhe në raport me ndërkombëtarët, është dashur, kaherë, pa pardon, të reagojë publikisht dhe pa ngurrim, që në nismë, me rastin e bastisjeve të Ministrive dhe ministrave, në rastin e Guvernatorit, por edhe hetimeve e akuzave tjera që janë bërë në Kosovë, që nga UNMIK-u, EULEX-i, por edhe gjyqësori kosovar. Na kujtohen situatat që krijuan këto bastisje kur media të caktuara paralajmëronin data e afate për arrestime tjera, kur dëgjoheshin edhe opinione interne për skenarë ndjellakeqë, dhe mund të themi Kosova ishte në krizë, por Kryeministri kurrsesi nuk dukej e as paraqitej para opinionit!
Kuptohet, guximi dhe aftësia e liderit të mirëfilltë, dihet kur tregohet dhe automatikisht fuqizon edhe vendin dhe institucionet vendore, por edhe personalitetin e atij, i cili me atë çka ka ndodhë dhe po ndodhë në Kosovë tani e disa vite, është dashur dhe duhej që Hashim Thaçi, në radhë të pare, (edhe më herët), të thërriste në takim, të gjithë ata, që ishin pjesë e bastisjeve dhe akuzave, pa marrë parasysh a janë të partisë së tij, krahu i luftës apo ndonjë subjekti politik, duke u thënë haptas, se nuk ka pardon dhe tolerancë, kur është në pyetje shteti, dhe respektimi i ligjeve dhe Kushtetutës.
Gjithnjë, kuptohet, nëse vërtetohet, se janë pjesëmarrës dhe akterë, me fakte, të akuzave dhe dyshimeve të ngritura, por gjithashtu decidivisht të kërkohet edhe nga faktori ndërkombëtar, që fatkeqësisht, deri më tash, nuk ka treguar efikasitet dhe rezultate, por edhe fakte, dhe më tepër ka prezantuar, spektakle mediale dhe “hetime për opinion ”, që në afat të caktuar kohor të mbyllin këto raste me ngritje të aktakuzave apo mbyllje te hetimeve dhe që për çdo veprim të mëtejmë të njoftohen organet kosovare.
Pikërisht, heshtja e Kryeministrit Thaçi në këto raste, ka hapë dilema që komentohen edhe në forma tjera, që me siguri koha do të tregojë, se pse po ndodh kjo, por gjithashtu, ky ngurrim dhe kjo heshtje ka edhe peshën dhe ndikimin edhe në përpilimin e raporteve nga Institute dhe mekanizma ndërkombëtarë, e që jemi dëshmitarë, kur pjesë kyçe e këtyre raporteve, janë këto hetime që deri më tash janë vetëm “hetime…” pa rezultat përfundimtarë, por me pasoja edhe për autoritetin dhe prestigjin e gjyqësorit dhe hetuesisë kosovare, e policisë, por edhe për individët qe janë të përfolur për këto afera e që mbahen “peng” deri në pafundësi.
Nëse shkohet kështu dhe heshtet, nuk është për t’u habitur se dosjet që do të hapen ndaj njerëzve të caktuar, nuk do të kenë fund, kuptohet nëse ne nuk veprojmë dhe kërkojmë që mbi ligjin të mos jetë askush, jo vetëm deklarativisht, e në radhë të parë ata që janë në krye të vendit. Dhe i pari tashpërtash, kuptohet është Kryeministri Thaçi.