Site icon Telegrafi

Fituesi i medaljes së bronztë në Kampionatin Evropian të karates, Herolind Nishevci: Nuk do të ndalem derisa t’i realizoj ëndrrat

Herolind Nishevci ka fituar për herë të parë medalje evropiane. Karateisti ynë fitoi të bronztën në Kampionatin Evropian të karatesë, që u mbajt në Poreç të Kroacisë.

Nishevci në luftën për medaljen e bronztë mundi Asiman Gurbanli të Azerbajxhanit, kategoria plus 84 kilogramë.

Deri tek medalja, Herolindi erdhi pas katër fitoreve, dy të shënuara në repesazh.

“Jam shumë i lumtur. Është diçka për të cilën kam punuar shumë dhe kurrë nuk jam ndalur”, tha 29-vjeçari për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Medalja e bronztë është e dyta më e madhe, pas të bronztës të fituar në Kampionatin Botëror të Linzit të Austrisë, në vitin 2016.

Tani i mbetet të fitojë normën olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020.

“Si të kthehem në Kosovë do të nis me përgatitjet për garën kualifikuese të për LO Tokio 2020, që mbahet në Paris. Mendoj se forma që kam, do të më shpërblehet me sukses. Sidoqoftë, unë nuk do të ndalem, duke u përgatitur dhe duke luftuar për ëndrrat e mia”, shtoi Nishevci.

Në Evropianin e Poreçit, Kosova u përfaqësua me 14 garues.

Afër medaljes ishte dhe Fortesa Orana (+68 kg), e cila të shtunën luftoi për medaljen e bronztë, por lëndimi i pësuar të mërkurën, e i cili iu shfaq edhe sot, bëri që ajo të mundet nga grekja, Elena Chatziliodou, e pesta në renditjen olimpike. Vendi i pestë vlerësohet sukses i madh për të.

Elhami Shabani (-75 kg), zuri vendin e shtatë, duke iu afruar medaljes, ndërsa ekipi i femrave në kumite arriti deri në çerekfinale. Garuesit tjerë u ndalën kryesisht në luftën e parë ose të dytë.

Kampionatin nga afër e ndjeki edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i cili uroi Nishevcin për medaljen, me shpresën se suksesi nuk do të mungojë edhe në garën e Paris.

Exit mobile version