Telegrafi

Fituesi i Autostradës shpallet javën tjetër

 Në fillim të javës së ardhshme, saktësisht ditën e martë, do të shpallet kompania fituese që do ta ndërtojë autostradën Morinë – Prishtinë – Mërdare.
Express, ka kuptuar prej burimeve të saja brenda qeverisë, se Ministria e Transportit dhe Post – Telekomunikacionit, ka marrë rekomandimet për ta shpallur kompaninë më të mirë për ndërtimin e autostradës – konzorciumin amerikano – turk, Bechtel&Enka.

Rekomandimet i ka dhënë kompania konsultuese e cila ka drejtuar procesin e tenderimit të këtij projekti dhe më vonë të miratuara nga Komiteti Ndërministror, n`krye me ministrin Fatmir Limaj. Qysh prej fillimit të javës së ardhshme, Ministria e Transportit, do të mund t`i nis negociatat me kompaninë ndërtuese që pasojnë pas shpalljes së fituesit.

“Ministria e Transportit ka marrë rekomandimet nga kompania konsulente dhe pritet që në fillim të javës së ardhshme të shpallet fituesi i kompanisë ndërtuese të Autostradës”, tha ky burim i Express. Ai tregon se oferta më e mirë ka qenë e konzorciumit amerikano – Turk, Bechtel & Enka. Pas kësaj, tregon ky burim, do të nisin negociatat shtesë mes ministrisë dhe kompanisë fituese. Në rast të dështimit të negociatave, kualifikohet kompania e dytë me radhë.

Paralajmërimet e drejtuesve të ministrisë, kanë qenë më herët se pasi të shpallet kompania fituese, do të nisin shumë shpejt punimet për ndërtimin e autostradës. Gjithashtu do të bëhen të ditura edhe gjitha detajet tjera për përfundimin e projektit. Kriteri kryesor në këtë tender ka qenë fuqia kapitale e kompanisë. Saktësisht 50 për qind të pikëve ka marrë çmimi që është vlerësuar më i ulëti, ndërsa 50 për qind të pikëve tjera, janë fituar për anën teknike të kompanive dhe aspekti kohor.

Ministri Fatmir Limaj, ka deklaruar se kur të shpallet fituesi, autostrada konsiderohet si e përfunduar. Kjo për shkak se procesi tenderimit është konsideruar si faza më e vështirë dhe më e rëndësishme në këtë projekt multimilionësh. Shpronësimet në hapësirën ku do të ndërtohet rruga tash sa kohë kanë filluar të bëhen në qarkun e Prizrenit prej ku edhe do të nis ndërtimi i autostradës.

Në rrethin e ngushtë për ta fituar këtë projekt kanë qenë kompanitë “Alpine” nga Austria, konzoriumi amerikano-turk “ Bechtel& Enka”,” Makyol” nga Turqia, “Pizzarotti” nga Italia, “Por” dhe “Strabag” nga Austria dhe “Terna” nga Greqia. Sipas vlerësimeve të qeverisë, kostoja e ndërtimit të autostradës Morinë –Mërdare ka qenë 649 milionë euro në fillim. Tash vonë, ministri Limaj, tha se kjo kosto mund të jetë edhe më e lartë duke arritur deri tek afër një miliardë euro.

Me anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, shanset për financim të këtij projekti janë rritur. Autostrada do të kalojë nëpër 8 komuna dhe 66 zona kadastrale, në gjatësi prej 118 kilometra dhe me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë.

”Rëndësia e kësaj rruge është mjaft e madhe, jo vetëm për shkak se i krijon mundësinë Kosovës për dalje në det, por sepse do të ndikojë edhe në punësimin e rreth 3 mijë personave, në zhvillimin e zonave përgjatë autostradës dhe në avancimin e tregtisë dhe turizmit”, ka thënë ministri Limaj. Forma e financimit është vendosur të bëhet përmes Partneritetit Publiko Privat dhe detajet tjera do të publikohen javën e ardhshme.

Kah shtrihet autostrada:

Vermicë – Zhur – Poslisht – Vlash – Prizren – Atmagj – Dushaovë – Trepticë –Petrova – Caprac – Shpenadi – Velezhë – Novak – Trnje – Leshan – Suharekë – Sllapuzhan – Bllacë – Duhel – Grejqevc dhe Lluzhnicë – Shtime – Carralevë – Belicë – Godanc i Epërm dhe i Poshtëm – Lipjan – Bregu i Zi – Kraishte – Torinë – Rufc i vjetër&ri – Ribar i madh&vogël – Halilaq – Suhadoll – Skullan – Lepi – Fushë Kosovë – Batush – Miradi –Uglar – Prishtinë – Shkabë – Bernicë – Nëntë Jugoviq – Leban – Prugrovc – Besi-Trudë-Rimanisht – Obiliq – Mazgit – Lazarevë – Podujevë – Ternavë – Bellopojë – Grdoc – Kaqipeg – Dumosh – Sibovc – Gllavnik –Sveqel – Surkish – Balloc – Shtedim – Miroc dhe Merdare./gazeta express/