Nga: Mark Mazower, historian / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
U ndje si paralajmërim për ndryshim regjimi ajo javë kur ekipi i tranzicionit i presidentit të porsazgjedhur Donald Trump, emëroi një gazetar televiziv si sekretar të Mbrojtjes dhe zbuloi se njeriu më i pasur në botë do të drejtonte një departament të ri për efikasitetin qeveritar. Në vitin 2020, Joe Bideni u prit me entuziazëm nga liberalët, si një korrigjim kursi pas presidencës së parë të Trumpit. Tani, ai duket më pak si mbrojtës i misionit të përjetshëm të Amerikës për të përhapur lirinë në mbarë globin dhe më shumë si fundi i regjimit të saj të vjetër.
Lexo po ashtu nga Mark Mazower:
– “Përshëndetjet” e shqiptarëve në Selanikun e shekullit XVIII
– Rëndësia e termeve dhe dallimet mes shqiptarëve dhe grekëve
– “Bektashinjtë kishin një lidhje të ngushtë me adhurimin e Krishtit”
– Kriza e besimit në Izrael dhe në sionizëm
Megjithatë, regjimi i vjetër i sotëm dikur ia premtoi botës të ardhmen e saj. Shkrimtari dhe politikani francez François-René de Chateaubriand u shpreh në emër të shumëkujt, në vitin 1825, kur përshkroi shpikjen e republikanizmit përfaqësues në ShBA si “zbulimin më të madh politik” të kohëve moderne. “Formimi i kësaj republike”, shkroi ai, “ka zgjidhur një problem që mendohej se ishte i pazgjidhshëm”: si të mundësohet që miliona njerëz të jetojnë së bashku nën institucione demokratike. Bota e Re ofronte një alternativë ideologjike për Botën e Vjetër të monarkëve me paruke dhe aristokratëve reaksionarë, një alternativë që i tregonte masave të Evropës një rrugë më gjithëpërfshirëse për të ardhmen.
Që nga koha kur sistemi i Fuqive të Mëdha të Evropës u shemb në luftë gjatë viteve 1914-1918, pretendime të mëdha u bënë për fuqinë transformuese ndërkombëtare të Amerikës. Woodrow Wilson premtoi ta bënte botën “të sigurt për demokracinë”. Hitleri paralajmëroi evropianët se idetë naziste për pastërtinë racore ishin e vetmja gjë që i ndante ata nga degjenerimi ateist transatlantik. Amerika e Luftës së Ftohtë synonte të krijonte një Botë të Lirë të demokracive masive të begata dhe presidenti Ronald Reagan e vlerësoi ShBA-në si një qytet të ndritshëm mbi kodër – një strehë e hapur në qendër të një bote që lulëzonte në shkëmbimin tregtar dhe kulturor.
Shekulli amerikan përfundoi thuajse ashtu siç kishte filluar, me këshilltarët e Clintonit që e lartësonin ShBA-në si “simbolin global të mundësisë dhe lirisë”. Shumë besonin se Konsensusi i Uashingtonit do të vendoste rregullat e reja të lojës ekonomike dhe se demokracia liberale do të lulëzonte edhe në vendin ku kishte lindur bolshevizmi. Sot kjo duket si arrogancë. Që nga kriza financiare e viteve 2007-2008, numri i demokracive në mbarë botën ka rënë dhe shmangia ndaj globalizimit ka marrë hov. Vetë votuesit amerikanë këtë herë mirëpritën një program të bazuar në proteksionizmin tregtar, kontrollin e emigracionit dhe kundërshtimin e multikulturalizmit.
Megjithatë, edhe në këto rrethana shumë të ndryshuara, është e vështirë të shkëputemi nga zakoni i vlerësimit të ShBA-së si një lloj pararendës. Nëse ShBA-ja dikur ishte një rreze lirie dhe shprese për “masat e dëshpëruara që aspironin të merrnin frymë lirshëm” (sipas fjalëve të gdhendura në Statujën e Lirisë), a nënkupton zgjedhja e vitit 2024 se një e ardhme më ndryshe, ndoshta më autoritare, i pret që të gjithë? Natyrshëm, njerëzit i drejtohen së shkuarës në përpjekjen për të gjetur përgjigje për këto pyetje dhe kërkojnë nga historia ndihmë për të kuptuar atë që po ndodh. Në veçanti, ata kërkojnë analogji.
Analogjia e preferuar e ditëve të sotme është fashizmi – dhe kjo, mbase, nuk është e habitshme në një epokë liderësh autoritarë në shtetet si India, Rusia, Turqia dhe Hungaria. Disa e shohin udhëheqësin e sotëm si pararendës të diktatorëve fashistë të periudhës mes dy luftërave botërore. Historiani Timothy Snyder pohon se kjo nuk është thjesht një ngjashmëri, duke deklaruar se Trumpi është vetë “prania e fashizmit”. Ish-shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, ka thënë se ish-shefi i tij përputhet me “përkufizimin e përgjithshëm të një fashisti”. Perspektiva mund të jetë shqetësuese; por ka cilësi të njohura.
Ndoshta është edhe një çështje shumë e njohur. Analogjitë kanë dobi të dyfishtë, sepse mund të mbyllin një diskutim të vështirë, por thelbësor, në përpjekjen për të identifikuar ndryshimet kryesore midis së shkuarës dhe së tashmes. Etiketa e fashizmit, për shembull, anashkalon faktin që bota ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë që nga 90 vjet më parë, kur perandoritë shekullore evropiane ishin zhdukur sa hap e mbyll sytë, kur politikat e masave ishin të reja dhe një brez i tërë ish-ushtarësh u kthyen të plagosur dhe të radikalizuar nga istikamet e Luftës së Parë Botërore.
Për më tepër, zhvendosja e Evropës – ndërmjet dy luftërave – drejt të djathtës autoritare solli jo vetëm fashistët si Hitleri dhe Mussolini, por edhe lloje të tjera diktatorësh: ish-ushtarakë, klerikë, profesorë dhe madje edhe mbretër që mbikëqyrnin zgjedhjet e improvizuara. Të gjithë ishin kundër demokracisë liberale, por jo të gjithë ishin fashistë. Disa mbijetuan për disa dekada, të tjerët vetëm për disa muaj. Pyetja që bënin bashkëkohësit e tyre nuk ishte kush përputhej me një përkufizim teorik të fashizmit, por pse demokracia ishte në krizë dhe nëse institucionet që kishin trashëguar ishin të afta për të përballuar këtë presion.
Përgjigjet e tyre ndryshonin nga një vend në tjetrin, në varësi të trashëgimive historike të secilit. Kjo është ndoshta arsyeja pse shkrimtari Sinclair Lewis, në satirën e tij të vitit 1935, It Can’t Happen Here [Kjo nuk mund të ndodhë këtu], e rimodeloi rrëshqitjen e Evropës larg lirisë si një histori tipike amerikane, që gjen impulset autoritare në kulturën e Rotari-Klubeve të jetës në qytetet e vogla. Për të vlerësuar çfarë do të thotë zgjedhja e vitit 2024 në ShBA, kërkohet më pak përdorimi i analogjive historike ose vëzhgimeve të përgjithshme për fashizmin, dhe më shumë vëmendje për specifikat e përvojës politike amerikane – që janë të veçanta në shumë aspekte dhe që na ndihmojnë të kuptojmë pse zgjedhjet e këtij muaji përfunduan ashtu siç përfunduan dhe pse kjo rrugë nuk është domosdoshmërisht ajo që të tjerët do të ndjekin.
Është domethënëse, për shembull, se vetë fashizmi nuk duket se kishte shumë rëndësi për votuesit e Trumpit. Jo sepse ata e pëlqenin idenë, por sepse ajo nuk ishte vërtet diçka për të cilën ata shqetësoheshin. Disa kanë pohuar, pas zgjedhjeve, se për shumë njerëz pretendimi se Trumpi është fashist ishte ekstrem dhe i pabesueshëm, dhe kjo ndoshta i dëmtoi demokratët pasi dukej se ata sugjeronin se votuesit nuk po e dinin për çfarë po votonin. Zgjedhjet nuk u perceptuan përgjithësisht si referendum për ngjarjet e 6 janarit 2021, pavarësisht përpjekjeve sporadike për t’i paraqitur ato si të tilla. Nëse thirrjet e demokratëve për fashizmin – përpara votimeve – funksionuan si një lloj paralajmërimi, ky ishte paralajmërimi të cilin shumë amerikanë e injoruan. Në fund të fundit, vlera e Kushtetutës doli të kishte më pak rëndësi sesa çështjet ekonomike për të cilat ata ishin vërtet të shqetësuar.
Kjo nuk ishte e papritur, pasi shumica e njerëzve në ShBA dinë pak për dhunën e Evropës në mesin e shekullit të kaluar. Ngjarja e vetme historike që kanë më shumë gjasa të njohin është Holokausti të cilin ata e lidhin jo me fashizmin në përgjithësi, por me Hitlerin, nazistët dhe vrasjen masive të hebrenjve. Meqenëse askush nuk pret seriozisht një përsëritje të tillë nën presidentin Trump, ndikimi i kësaj në modelet e votimit ishte i vogël. Dhe, meqenëse Holokausti shpesh paraqitet në terma të antisemitizmit ekstrem dhe jo paragjykimeve racore në përgjithësi, nuk ofroi një hapësirë për shumicën e amerikanëve që të shqyrtonin çështjet më të gjera të fajësimit për problemet e caktuara, ndjenjës anti-emigrante apo dhunës politike.
Ekziston një dallim i rëndësishëm me Evropën. Ndryshe nga ShBA-ja, shumica e vendeve evropiane kanë pasur përvojë të drejtpërdrejtë në kujtesën e tyre për luftën, me grushte shteti, junta ose kapje të dhunshme të pushtetit që kanë ndihmuar në formimin e një ndërgjegjeje për brishtësinë e demokracisë. Disa nga udhëheqësit aktualë evropianë kanë jetuar nën diktatura të djathta që mbaruan vetëm në vitet 1974-1975; të tjerët nën sundimin sovjetik që përfundoi në vitin 1989. Të moshuarit mund të mbajnë mend edhe pushtimin nazist, i cili ishte një katalizator për luftën civile në pjesën më të madhe të kontinentit. Në Francën e Vishit, bashkëpunëtorët dhe rezistenca u përballën në një luftë të nxitur nga armiqësitë ideologjike që ishin ndërtuar ndër vite. Diçka e ngjashme ndodhi në Itali dhe në Greqi, ndërsa në Evropën Lindore shpërthyen konfliktet etnike nën mbikëqyrjen e gjermanëve.
Fundi i Luftës së Dytë Botërore solli jo vetëm kolapsin e nazistëve, por edhe rivendosjen e vështirë të unitetit kombëtar dhe hedhjen poshtë të ekstremeve politike. Për këtë arsye, shumë qeveri koalicioni me mbështetje të gjerë u formuan në Evropë pas vitit 1945, dhe edhe pse ato shpejt u zëvendësuan nga pasardhës më njëpartiakë, kujtesa që i prodhoi ato nuk është zhdukur. Për dallim nga ShBA-ja, përhapja e kujtesës së Holokaustit në Evropën e ribashkuar – gjatë 30 vjetëve të fundit – ka shërbyer për të përhapur pikërisht këtë lloj mesazhi pro-demokratik, që përfshin edhe emigrantët e fundit.
Në thelb, fakti që fashizmi ishte kryesisht një fenomen evropian do të thotë që Evropa jeton në një univers post-fashist. Kjo nuk e ka penguar ngritjen e partive që dikur do të ishin konsideruar të ekstremit të djathtë. Disa nga ato që vijnë drejtpërdrejt nga lëvizjet neo-fashiste që tani janë në pushtet ose afër tij. Megjithatë, në asnjë rast liderët e tyre nuk kanë vepruar sikur fashizmi dhe lufta nuk kanë ndodhur: kujtesa e përbashkët historike përbën pengesë, ndonëse të dobësuar.
Në ShBA, një trashëgimi e tillë historike nuk ekziston. Përvoja kombëtare e luftës civile është më e largët në kohë, dhe konfliktet e kohëve të fundit e kanë lënë vendin relativisht të paprekur, ndërsa territori i tij ka mbetur pothuajse i pacenuar. Është e lehtë të harrosh, kur lexon për tronditjen e shkaktuar nga Përl Harbori ose nga 11 shtatori, se sa paqësore ka qenë në të vërtetë – në pjesën më të madhe – jeta e përditshme amerikane.
Edhe pse vendi ka qenë vazhdimisht në luftë në një pjesë ose tjetër të botës që nga viti 1945, rrallëherë ndikimi i saj është ndier në vend, përveçse përmes veteranëve të kthyer. Nga të gjitha kombet e mëdha luftarake të Luftës së Dytë Botërore, asnjë nuk kishte më pak viktima civile: numri i ShBA-së ishte nën 20 mijë, ndërsa në Kinë, Poloni dhe BRSS numri shkonte në miliona. Kujtimet historike të vendit nuk janë formuar nga shija e hidhur e pushtimit të armikut apo diktaturës.
Përjashtimi kryesor dhe i dukshëm për këtë – skllavëria dhe trashëgimia e saj – vazhdon të jetë në zemër të debatit politik amerikan; por mbetet më shumë një çështje përçarëse sesa unifikuese, pikërisht sepse përbën një traumë që nuk u përjetua nga e gjithë popullsia. Për dallim nga kjo, mobilizimi masiv i shoqërive evropiane gjatë luftërave të shekullit XX ndihmoi në krijimin e institucioneve kombëtare – në media, arsim ose shëndetësi – që kultivojnë një ndjenjë të përbashkët publike: si rezultat, anti-elitarizmi ka gjetur më pak hapësirë.
Mungesa e konflikteve ekstreme në tokën amerikane në kohët e fundit ka pasur edhe një pasojë tjetër: ShBA-ja është kombi i vetëm në botë i qeverisur nga një dokument i hartuar në epokën e Iluminizmit. Qëkur amerikanët miratuan Kushtetutën e tyre, francezët kanë provuar jo më pak se 15 të tilla, ndërsa spanjollët 13. Në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Jugut ka pak vende që nuk e kanë rishikuar kushtetutën e tyre më shumë se një herë.
Disa shtete të tjera – Belgjika, Holanda dhe Norvegjia – kanë kushtetuta që datojnë që nga koha e mposhtjes së Napoleonit. Por, rasti amerikan është unik jo vetëm sepse asnjë vend tjetër nuk ka një kushtetutë kaq të vjetër që mbahet dhe zbatohet nga një Gjykatë e Lartë që beson se duhet të deshifrojë dhe ndjekë dëshirat e drejtpërdrejta të hartuesve të saj.
Të njëjtat trazira dhe konflikte që kanë ofruar mundësinë për të rishikuar institucionet dhe normat politike në dritën e përvojës historike, kanë inkurajuar gjithashtu rishikimin më të gjerë të qëndrimeve shoqërore dhe kulturore. Merrni parasysh ndikimin shumë të ndryshëm në aspektin gjinor në politikë në të dy anët e Atlantikut. Ndryshe nga ShBA-ja, çështja e abortit është zgjidhur në pjesën më të madhe të BE-së, madje edhe në vendet me shumicë katolike. Gratë e fuqishme lidere kanë udhëhequr Britaninë dhe Gjermaninë në kohët e fundit, dhe aktualisht ka disa kryetare shtetesh ose kryeministre në Bashkimin Evropian: vetë Komisioni i BE-së drejtohet nga një grua.
Në këtë aspekt, edhe partitë e djathta evropiane reflektojnë normat evropiane: kryeministrja e Italisë është Giorgia Meloni, udhëheqëse e partisë së djathtë Vëllezërit e Italisë; Marine Le Pen madje përmbysi babanë e saj për të drejtuar Frontin Kombëtar të Francës. Kulti i udhëheqjes MAGA [Make America Great Again], për dallim, vlerëson virilitetin dhe një përsëritje të maskulinitetit që ka pak ose aspak paralele me atë që gjendet në perëndim të Rusisë.
Pasoja kritike e kësaj divergjence në përvojat dhe kujtesën historike është polarizimi politik, që tani ndoshta është dallimi kryesor midis ShBA-së dhe demokracive të tjera në botë. Megjithëse në vitet e fundit elektoratet janë zhvendosur drejt të djathtës në shumë pjesë të Evropës dhe megjithëse qendra e majtë po përballet me ndarje, Evropa nuk është e polarizuar në të njëjtën masë si Amerika. Duke përjashtuar Breksitin, analiza e periudhës 1980-2020 tregon se tendenca afatgjatë në Britani ka qenë drejt një opinioni publik më pak të polarizuar; e njëjta gjë vlen edhe për vende të tjera. Përgjatë katër dekadave të fundit, Australia, Zelanda e Re dhe Japonia panë pak ndryshime në shkallën e polarizimit, ndërsa Kanadaja, Danimarka dhe Franca panë një rritje të moderuar. Nga të gjitha vendet e hulumtuara, vetëm Zvicra krahasohej me largimin e Amerikës nga qendra.
Disa prej këtyre zhvillimeve pasqyrojnë ndikimin e institucioneve politike, siç është Kongresi i ShBA-së, i cili është bërë gjithnjë e më i polarizuar – veçanërisht në anën republikane, që prej shfaqjes së konservatorëve [Tea Party Caucus]. Kombinimi i një sistemi zgjedhor “fituesi merr gjithçka”, modeli i zgjedhjeve paraprake brenda partive dhe fakti se dy partitë kryesore zakonisht janë shumë të barabarta në aspektin elektoral në kohët moderne – në pjesën më të madhe të vendit – ka ndihmuar në largimin e elitave politike nga qendra. Kapja e njërës prej dy partive kryesore nga lëvizjet ekstreme nuk ka ndonjë paralele evropiane.
Por, vetë politikanët janë vetëm një pjesë e problemit. Përkundër përputhjes së konsiderueshme mbi një gamë çështjesh politike, votuesit e zakonshëm amerikanë po ndahen emocionalisht dhe ndjenjat mes palëve politike janë bërë më të hidhura dhe më të theksuara. Të paktën një prej shkaqeve është e qartë: tërheqja në “flluska informacioni”, shkaktuar nga mungesa e një burimi të vetëm dhe të besueshëm lajmesh në nivel kombëtar – një problem shumë më akut në ShBA sesa në vende të tjera. Një tjetër shkak është segregimi spontan fizik – më shumë ideologjik sesa racor – pasi një numër i madh njerëzish shpërngulen në zona dhe lagje që i konsiderojnë politikisht të përshtatshme për të shmangur konfliktet. Këto janë tipare të shoqërisë që nuk gjenden në të njëjtën shkallë në demokracitë e tjera.
Me pak fjalë, kujtimet historike që shërbejnë për të forcuar demokracinë diku tjetër mungojnë sot në ShBA, ndërkohë që forcat e polarizimit janë të pakontrolluara. E djathta është në rritje në Evropë, por ende funksionon brenda një kornize institucionale, përgjithësisht të pranuar, të formësuar nga përvojat e fundit të përbashkëta. Këto janë të kontestuara, por jo të vëna në dyshim.
Kombet evropiane, të ndërgjegjshme nga historia dhe gjeografia, ndiejnë cenueshmërinë e tyre gjeopolitike, gjë që jo vetëm që frenon përçarjet e brendshme, por gjithashtu nxit debate të nxehta mbi kufijtë e bashkëpunimit dhe integrimit ndërmjet shteteve. Duke i munguar ndjenja e kërcënimit gjeopolitik dhe me një grup kujtimesh shumë të ndryshme historike dhe pothuajse të parrezikshme, elektorati amerikan duket i pozicionuar keq për të luftuar kundër polarizimit dhe mosmarrëveshjeve të brendshme.
Pikëpamja e botës, për ShBA-në, me gjasë do të ketë ndryshuar përgjithmonë pas këtyre zgjedhjeve. Por, ndoshta ky është vetëm fundi i një iluzioni. ShBA-ja ka qenë gjithmonë një shoqëri me veçoritë e veta të favorshme gjeografike dhe historike, si dhe me një anë të errët që shpesh është neglizhuar nga ata që sipërfaqësisht e shihnin liberalizmin e saj.
Në të kaluarën, ajo kombinonte gjuhën e lirisë me realitetin e skllavërisë. Fliste për modernitetin dhe të ardhmen, ndërkohë që kapej pas institucioneve gjithnjë e më arkaike. Dekadat e udhëheqjes ndërkombëtare e kanë lënë relativisht të paprekur nga luftërat dhe konfliktet që kanë shpërthyer rreth botës. Ndoshta fashizmi nuk është ajo që e pret, sepse fashizmi ishte një produkt i rrethanave evropiane në një epokë tashmë të shkuar të historisë. Por, fashizmi nuk është testi i vetëm, dhe sa më shpejt që kjo të kuptohet, aq më mirë do të orientohen të gjithë në territorin e pashkelur që ndodhet përpara. /Telegrafi/