Nga: Martin Wolf / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Më 19 nëntor 1919, Senati i ShBA-së hodhi poshtë Traktatin e Versajës. Me atë vendim, ShBA-ja tërhoqi fuqinë e vet nga mbrojtja e marrëveshjes për të cilën ishte pajtuar pas Luftës së Parë Botërore, duke ia lënë këtë detyrë britanikëve dhe francezëve të cilëve u mungonin si vullneti ashtu edhe mjetet për ta bërë këtë. Pasoi Lufta e Dytë Botërore. Pas këtij konflikti, ShBA-ja e luajti një rol shumë më produktiv. Sot, në shumë mënyra bota ende është ajo që ShBA-ja ka krijuar. Por, edhe për sa kohë do të jetë kështu? Dhe, çfarë mund ta pasojë? Rezultati i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, mund të japë përgjigje të shpejta ndaj këtyre pyetjeve, por, mjerisht edhe përgjigje të këqija.
Sondazhet e fundit sugjerojnë se pothuajse 55 për qind e votuesve amerikanë nuk e miratojnë performancën e Joe Bidenit. Ato gjithashtu sugjerojnë se Trumpi qëndron pak më lartë se Bideni në sondazhet ballafaquese – para zgjedhjeve që do të mbahen një vit më vonë. Së fundmi, ato sugjerojnë se Trumpi është para Bidenit në pesë prej gjashtë shteteve më të rëndësishme të “fushëbetejës”. Në përgjithësi, fitorja e Trumpit është e besueshme dhe qartësisht shqetësuese.
Çfarë do të thotë kjo? Përgjigja më e rëndësishme është se ShBA-ja, jo vetëm si demokracia më e fuqishme në botë, por si shpëtimtari i saj në shekullin XX, nuk është më e përkushtuar ndaj normave demokratike. Kryesorja nga këto norma është se pushteti duhet fituar me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse zgjedhjet presidenciale në ShBA janë “të drejta”, kjo çështje është e diskutueshme. Por, ato kanë rregulla. Përpjekjet e pushtetarëve për të përmbysur ato rregulla e nënkuptojnë kryengritjen. Se Trumpi është përpjekur ta bëjë këtë kryengritje, kjo nuk është më e diskutueshme. Nuk arsyetohet as nga mungesa e provave të mashtrimit për të mbështetur tentativën e tij për puç. Ai është nën aktakuzë. Megjithatë, ende mund t’i fitojë zgjedhjet presidenciale. Një arsye se pse ai mund ta bëjë këtë është se afër 70 për qind e njerëzve që identifikohen si republikanë, thonë se u besojnë gënjeshtrave të tij. Kjo është tronditëse, megjithëse – mjerisht – jo edhe aq befasuese.
Përtej miratimit të njeriut që u përpoq të përmbyste Kushtetutën, çfarë tjetër nënkupton presidenca e Trumpit – për ShBA-në. Natyrisht, përgjigja pjesërisht varet nga ekuilibri në Kongres. Sidoqoftë, është e gabuar të gjesh ngushëllim shtesë te mënyra se si ai herën e fundit u soll. Atëherë mbështetej te figurat mjaft tradicionale – te ushtria dhe biznesi. Herën tjetër do të jetë ndryshe. “Maga” [Make America Great Again] tashti është një kult me një numër të konsiderueshëm të besimtarëve.
Plani vendimtar i brendshëm i Trumpit është të zëvendësojë shërbimin civil me shërbëtorët besnikë ndaj presidentit. Arsyetimi i tij është ekzistenca e pretenduar e një “trupi me ndikim” – me të cilin kritikët nënkuptojnë nëpunësit e dijshëm civilë që janë besnikë ndaj ligjit dhe shtetit e jo ndaj personit në pushtet. Një arsye se pse ky hap është i pakëndshëm, është se qeveria moderne nuk mund të funksionojë pa njerëzit të tillë. Arsyeja më e madhe për këtë është se nëse shërbimet e inteligjencës, të sigurisë së vendit dhe të të ardhurave të brendshme, të ushtrisë, të Byrosë Federale e Hetimit dhe të Departamentit të Drejtësisë nënshtrohen ndaj tekave të kreut të shtetit, vendi ka autokraci. Po, kaq e thjeshtë është. Me një kryetar shteti që është hakmarrës, abuzimet me pushtetin mund të përhapen. Kjo nuk do të jetë më ShBA-ja që kemi njohur. Mund të jetë më shumë si një Hungari e Viktor Orbanit apo si Turqia e Recep Tayyip Erdoğanit.
Çfarë mund të thotë kjo për botën?
Kryesorja, kapja e ShBA-së nga një njeri dhe një parti që haptazi kanë hedhur poshtë normën qendrore të demokracisë liberale, do t’i dekurajonte ata që besojnë në demokraci dhe do t’i inkurajonte, kudo, despotët dhe lakenjtë. Nuk është e lehtë të përcaktohet efekti i tradhtisë së tillë nga ShBA-ja.
Përzierja e këtij dëshpërimi me qasjen e hapur transaksionale të Trumpit, do të dobësonte – nëse nuk do ta shkatërronte – besimin mbi të cilin bazohen aleancat aktuale të ShBA-së. Amerikanët kanë të drejtë të dënojnë mungesën e angazhimit të shumicës së aleatëve. Mbi të gjitha, nuk ka dyshim se evropianët (ku përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar) duhet të bëjnë më shumë. Por, aleanca ka nevojë për një lider. Në një të ardhme të parashikueshme, ShBA-ja duhet të prijë. Me Rusinë që kërcënon Evropën dhe me Kinën si konkurrente, aleancat janë të domosdoshme – më shumë se kurrë – jo vetëm për aleatët e saj, por edhe për ShBA-në. Trumpi as nuk e kupton dhe as nuk ia ndien për këtë.
Pastaj janë implikimet për ekonominë botërore. Trumpi propozon të vendosë tarifën prej dhjetë për qind për të gjitha importet. Ky do të ishte version bashkëkohor (ndonëse më i butë) i tarifës famëkeqe Smoot-Hawley nga viti 1930. Kjo me siguri që do të çojë në hakmarrje. Gjithashtu, do t’i bënte dëm të madh Organizatës Botërore të Tregtisë, duke mohuar angazhimet e shumë dekadave të ShBA-së për të ulur barrierat tarifore.
Po aq i rëndësishëm mund të jetë ndikimi në përpjekjet për të trajtuar ndryshimet klimatike. Vetë ShBA-ja, me sa duket, do të ndryshojë shumë masa të Aktit të Bidenit për Reduktimin e Inflacionit. Po aq domethënëse mund të jetë tërheqja e mundshme e ShBA-së nga përpjekjet për të nxitur investimet – në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim – për energjinë e pastër.
Marrëdhëniet e ardhshme me Kinën, gjithashtu do të vihen në pikëpyetje. Ndryshimet këtu mund të mos jenë aq dramatike, sepse armiqësia ndaj rritjes së Kinës është dypartiake. Por, nën Trumpin, kundërshtimi ndaj Kinës do të ishte më i pakët për ideologjinë, meqë atij aspak nuk i interesojnë dallimet mes autokracive dhe demokracive. Ai më shumë e preferon të parën. Do të bëhej thjesht një garë mbi pushtetin, me Trumpin që përpiqet të ruajë numrin një të ShBA-së. Se cili do të jetë rezultati, kjo është e paqartë. Trumpi mund të kërkojë ta kthejë Rusinë kundër Kinës, siç bëri Nixoni me Kinën kundër Bashkimit Sovjetik. Braktisja e Ukrainës mund të jetë karremi i tij.
Presidenca e dytë e Trumpit nuk mundet ta shkatërrojë përgjithmonë SHBA-në. Por, si ajo ashtu edhe pjesa tjetër e botës, do ta humbnin dallimin mes të mirës e të keqes. Do të detyrohemi të përshtatemi me realitetin se ShBA-ja ka rizgjedhur njeriun që haptas u përpoq të përmbyste demokracinë e saj. Është e mundur që aktakuzat kundër Trump mund të na shpëtojnë. Por, edhe kjo shpresë e brishtë e nxjerr në pah kërcënimin e sotëm ndaj demokracisë. /Telegrafi/