Pasuria e dhjetë njerëzve më të pasur në botë u rrit me një rekord ditor pasi Donald Trump fitoi një mandat të dytë si president.
Pasuria neto e miliarderëve të udhëhequr nga Elon Musk i Tesla Inc., personi më i pasur në botë, u rrit me 63.5 miliardë dollarë të mërkurën, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, përcjell Telegrafi.
Vetëm Musk shtoi 26.5 miliardë dollarë në “xhirollogarinë e tij”.
Jeff Bezos i Amazon.com Inc dhe Larry Ellison i Oracle Corp ishin gjithashtu ndër përfituesit kryesorë.
Dhe kjo vlerësohet të jetë rritja më e madhe ditore që nga fillimi i indeksit të pasurisë së Bloomberg në 2012.
Kujtojmë se Musk, i cili bëri fushatë së bashku me presidentin e zgjedhur, është gati të ndikojë në politikë pasi Trump është zotuar t’i japë atij një rol zyrtar.
Aksionet e Tesla në Nju Jork u rritën 15% të mërkurën, duke rritur fitimet gjatë vitit të kaluar në 32%.
Përveç Musk, fituesit e tjerë kryesorë janë miliarderët e kriptove. Brian Armstrong, bashkëthemelues dhe CEO i shkëmbimit të kriptove Coinbase Global Inc, pa që vlera e tij neto të rritet 30% në 11 miliardë dollarë.
Changpeng Zhao, themeluesi i Binance, shkëmbimi më i madh i kriptove në botë, shtoi 12.1 miliardë dollarë pas zgjedhjeve, duke rritur vlerën e tij neto në 52.7 miliardë dollarë. /Telegrafi/