Site icon Telegrafi

Fitorja, alternativa e vetme e Prishtinës

Ndihmëstrajneri i Prishtinës, Fadil Berisha, është optimist se skuadra e tij edhe këtë herë do të ngadhënjejë. Sipas tij, Prishtina tashmë ka nisur të hyjë në formën e saj, madje nga kjo xhiro e tutje ata vetëm sa do ta rrisin nivelin e tyre. Kjo edhe bën të besohet se Prishtina këtë vikend mos të ketë shumë problem për të ardhur fitore përballë llapjanëve.

“E njohim kundërshtarin mirë. I dimë pikat e forta dhe të dobëta të saj. Ne si gjithmonë duke tentuar të bëjmë lojë sa më të mirë të arrijmë deri te fitorja”, tha Berisha i cili njoftoi se ekipi i Prishtinës është komplet dhe nuk ka ndonjë mungesë për shkak të lëndimeve ose kartonëve.

Sa i përket mundësisë së ndryshimit në përbërje të ekipit nga ndeshja e javës së kaluar me Trepçën’89, Berisha ka thënë se mund të ketë ndryshime por ato do të shihen para ndeshjes. “E kemi parë Hysin se si luan dhe mund të them se e njohim këtë skuadër. Ka disa futbollistë të mirë, konsideroj se sivjet janë më të përgatitur, por i dimë pikat e tyre të dobëta dhe i kemi analizuar ato dhe po ashtu do të tentojmë t’i lokalizojmë edhe pikat e tyre të forta”, vlerësoi Berisha. Optimist për fitore është edhe mbrojtësi Viktor Kuka.
‘’Për ne çdo ndeshje është e njëjtë, për secilën motivohemi njëjtë dhe në secilën ndeshje hyjmë për ta fituar”, ka theksuar mbrojtësi, Viktor Kuka.

Në anën tjetër sulmuesi i rrezikshëm i Hysit, Enis Zabërxha, beson se skuadra e tij do të arrijë t’i përsëritë lojërat e mira që gjithmonë ka treguar ndaj Prishtinës. Ai beson se nga kryeqyteti do të dalin me rezultat pozitivë e mbi të gjitha pret një lojë të bukur për shikues.

“Besoj se do të bëhet një lojë shumë e mirë për shikues. Edhe Hysi si Prishtina luan lojë sulmuese, ne nuk mbrohemi askund, kështu që pres një lojë të bukur për sy. Ndonëse për kundërshtar kemi Prishtinën ne prapë në fushë do të zbresim për fitore”, tha Zabërxha i cili skuadrën “bardhekaltër” e cilëson si një kundërshtar shumë të fortë.

“Me Prishtinën kemi treguar gjithmonë lojëra të mira. Respekt të madh për Prishtinën, por ne këtë herë do të kërkojmë vetëm fitore”, përfundoi Zabërxha.

Përveç ndeshjes Prishtina – Hysi sot luhet edhe takimi Fushë Kosova – Trepça. Fushë Kosova ende nuk ka shikuar fitore, dhe do të kërkojë që pikërisht ndaj Trepçës t’ia bëjë “sefte”, derisa “xehetarët”, ndaj debutuesve do të kërkojnë të vazhdojnë me fitore, pas asaj që shënuan në fundjavë ndaj Besës. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version