Kampioni i Kosovës, Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore të madhe, duke mundur në udhëtim, Brose Bamber me rezultat 78:81 (19:27, 20:9, 24:24, 15:21).
Kjo ishte fitorja e parë për kampionët e Kosovës në grupet e FIBA Europe Cup, ndërsa humbja e parë për skuadrën gjermane.
Therandasit e nisën ndeshjen shumë mirë, duke e fituar çerekun e parë 19:27, por në periudhën e dytë, gjermanët u rikthyen, duke aplikuar mbrojtje të fortë, ku skuadra nga Kosova shënoi vetëm nëntë pikë, ndërsa pjesa e parë përfundoi 39:36.
Në periodën e tretë u zhvillua lojë tërësisht e barabartë, 24:24, duke bërë që fituesi në vendoset në dhjetë minutat e fundit.
Ylli nuk lëshoi pe dhe tregoi dëshirë të madhe për fitore, ku arriti qëllimin për të triumfuar 78:81.
Rashun Davis realizoi 19 pikë, kurse Jay Threatt shënoi 18 pikë për Yllin.