Telegrafi

Fitore rutinë e Bayernit

 Pjesa e parë i takoi plotësisht Bayernit. Pas dy-tri aksioneve shumë të mira të shpërdoruara, Mario Mandzukic u tregua konkret me një volej goditje pas pasimit të Thomas Muller për 1-0 dhe epërsinë e bavarezëve.

Në vazhdim vendasit dominuan ndeshjen, por pjesa e parë mbaroi me të njëjtin rezultat.

Në pjesën e dytë Bayerni ishte i relaksuar dhe qetësisht e dominoi takimin në kërkim të golit të sigurisë. Një goditje nga këndi mirë të ekzekutuar nga Toni Kroos për mrekulli e shfrytëzoi Mario Mandzukic, i cili shënoi për 2-0 dhe epërsinë e dyfishtë të Bayernit.

Më pas në këtë takim u inkuadruan dy shqiptarë. Për Greuther Furth në lojë hyri Ilir Azemi në minutën e 67-të dhe Xherdan Shaqiri zëvëndësoi Kroosin në minutën e 69-të, por asnjë prej bashkëkombasve tanë nuk u shënua në listën e realizatorëve.

Me këtë fitore Bayerni vazhdon suksesshëm rrugën drejt titullit me 45 pikë pas 18 ndeshjeve, nëntë pikë më shumë se sa vendi i dytë Bayer Leverkusen. /Telegrafi/