Replika e ironizime mes deputeteve të LVV-së e PDK-së pas vendimit të Qeverisë për lokalet e gastronomisë.
Të hënën, Qeveria ka marrë vendim që lokalet e gastronomisë të shërbejnë edhe ujë nga çezma për klientët.
Ndaj kësaj duke ironizuar ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Deliu ka thënë se nga qeveria e PDK-së që ndërtonte autostrada, shkolla, spitale e rriste rroga, Kosova ka rënë në Qeverinë e Albin Kurtit që merr vendim që lokalet të shërbejnë ujë.
Por kjo deklaratë e deputetes së PDK-së, nuk ka kaluar pa u vënë re nga deputetët e shumicës në Kuvend.
Deputetja e LVV-së Fitore Pacolli, i ka bërë një replikë nga distanca deputetes së PDK-së.
Ajo thotë se shkollat, spitalet e objektet tjera publike që janë ndërtuar gjatë qeverisjes së PDK-së nuk kanë qasje në ujë të pijes.
“A e din deputetja e PDK-ës që shkollat, spitalet e qendrat e mjekësisë familjare që kanë ndërtuar nuk kanë qasje në ujë të pijes?. Fëmijët dhe pacientët detyrohen me ble ujin ose me u dehidru”.
Pacolli madje nuk e ka lënë me kaq duke bërë edhe akuza për korrupsion ndaj qeverisjeve të kaluara.
“Keni investu aty ku keni pas mundësi me vjedh .Kaq për qeveritë e kaluara”, ka shkruar tutje Pacolli./Telegrafi/