Kosova e ka mposhtur San Marinon me rezultat 4-1 në ndeshjen miqësore të zhvilluar në “Fadil Vokrri”.
Të besuarit e Bernard Challandes e nisën mirë takimin, duke sulmuar që në start.
U shënua një gol në fillim nga Lirim Kastrati, por që u anulua shkaku i pozitës jashtë loje.
Goli erdhi në minutën e 28-të të ndeshjes, kur Kosova shënoi me Vedat Muriqin.
Ky i fundit mori një top në hyrje të zonës, kaloi një mbrojtës dhe me qetësi gjeti rrjetën për 1-0.
Por, sulmet nuk u mbyllën me kaq. Kosova kishte rast të mirë edhe me Besar Halimin i cili gjuan pas pasimit të Muriqit, por topi u ndal në shtyllë.
Në minutën e 41-të, Kastrati u fut bukur në zonë, pasoi te Vojvoda, por goditja e tij shkoi jashtë.
Në minutën e 44-të rrezikoi edhe një herë Muriqi me një gjuajtje me kthim, por portieri ishte në vend. Në minutën e 45-të, Destan Bajselmani dhe Blendi Idrizi kombinuan bukur, por goditja e këtij të fundit shkoi jashtë.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, Arbër Zeneli harkoi në zonë nga goditja e dënimit, ku më së miri u gjend Muriqi, i cili shënoi për 2-0. Me këtë rezultat u mbyll dhe pjesa e parë.
Me të filluar pjesa e dytë, Kosova e gjeti edhe një herë golin. Sërish ishte Muriqi i cili u gjend mirë në zonë për të shënuar për 3-0 me një goditje të bukur.
Kosova nuk i ndali sulmet dhe rrezikoi edhe disa herë. Por, goli i katërt erdhi në minutën e 75-të, kur Lirim Kastrati u ndal në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti.
Nga pika e bardhë ishte i saktë Vedat Muriqi, që ishte goli i katërt i tij në këtë takim.
Golin e vetëm për San Marinon e shënoi David Tomassini në minutën e 85-të pas një gabimi në mbrojtjen tonë.
Trajneri Bernard Challandes në këtë ndeshje ua dha rastin disa lojtarëve, ndërsa të gjithë treguan paraqitje të mirë, duke marr parasysh edhe nivelin e kundërshtarit.
Kosova ndeshjen tjetër e zhvillon pas katër ditësh ndaj Maltës në Austri. /Telegrafi/